Edhe prokuroritë i kthehen punës së plotë, por bojkotojnë Qeverinë
Foto: KPK
Lajme

Edhe prokuroritë i kthehen punës së plotë, por bojkotojnë Qeverinë

Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

Pas Këshillit Gjyqësor të Kosovës, edhe Këshilli Prokurorial ka marrë vendim për anulimin e pjesshëm të vendimit të 23 nëntorit përmes së cilit kishin vendosur të reduktohej puna në Prokurori e të punohej vetëm me shërbime esenciale.

Me vendimin e fundit të KPK-së, nga e hëna 5 dhjetorit  të gjitha prokuroritë e Republikës së Kosovës do të rifillojnë punën me kapacitete të plota.

Njëjtë sikur KGJK-ja, edhe KPK-ja ka vendosur që të vazhdojë pezullimi i bashkëpunimit për iniciativat e përbashkëta në mes të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Qeverisë deri në një vendim tjetër.

“KPK dhe prokuroritë do të marrin pjesë në komisionet dhe grupet tjera ku pjesëmarrja përcaktohet me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftimin e KPK-së.

Ky vendim i KPK-së vjen pas aktvendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës e cila ka aprovuar propozimin për caktimin e masës së sigurisë lidhur me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për uljen e pagave të prokurorëve.

KPK-ja i ka bërë thirrje Qeverisë që të bëjë shfuqizimin e vendimit për ulje pagash të prokurorëve.


MË SHUME NGA Lajme