Opozitarët kërkojnë më shumë angazhim për personat me nevoja të veçanta
BKT
Foto: Memli Krasniqi/Facebook
Lajme

Opozitarët kërkojnë më shumë angazhim për personat me nevoja të veçanta

M.Shefkiu/RTKlive

Në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar kanë reaguar edhe liderët e partive opozitare, të cilët kërkuan nga Qeveria që të angazhohet më shumë për këtë kategori sociale. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi thotë se në këtë ditë duhet mobilizim institucional e shoqëror në përkrahjen për dinjitet, të drejta të barabarta dhe përmirësim të mirëqenies së kësaj kategorie.

“Në vend të kësaj, fatkeqësisht në Kosovë, nevojat e këtyre personave janë lënë anash. Qeveria Kurti në projektligjin për rritjen e pagës minimale nuk parasheh lidhjen e saj me pensionin për personat paraplegjikë, tetraplegjikë dhe të verbër, duke larguar nga kompensimi edhe përcjellësit e këtyre personave me arsyetimin se u është përmirësuar gjendja”, konsideron Krasniqi.

Sipas kryetarit të PDK-së, integrimi i personave me aftësi të kufizuar duke u ofruar mundësi punësimi, mbështetje financiare dhe infrastrukturore, duhet të jetë objektiv shtetëror prioritar.

“Ata kanë nevojë për përkrahje meritore dhe për zbatim të kornizës ligjore që garanton të drejtat e tyre. Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë të gjejmë zgjidhje transformuese për zhvillim gjithëpërfshirës!”, konsideron kryetari i PDK-së.

Ndërsa kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj kërkoi sa më pak paragjykime e sa më shumë mundësi për këtë kategori.

“Personat me aftësi të kufizuara, janë pjesë e rëndësishme e shoqërisë sonë. Në ditën që shënohet për nder të tyre, apelojmë për sa më pak paragjykime e sa më shumë mundësi. Sa më shumë dashuri, sot e çdo ditë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.


MË SHUME NGA Lajme