AKK: Draftligji për pagat, degradues për kryetarët e komunave
E.Hoti/RTKlive
Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës thotë se draft-ligji për pagat në sektorin publik është duke atakuar lidershipin në nivel lokal, sidomos kryetarët e komunave.
Sipas tyre, ky draft po del kundër përgjegjësive që ka një kryetar komune, në raport me një pozitë qeveritare me pagat e ngjashme.
“Në asnjë mënyrë postulati i reklamuar nga Qeveria që për punë të njëjtë të jetë paga e njëjtë nuk vlen në këtë rast dhe jo vetëm. Përjashto kryetarin e kryeqytetit, paga e kryetarëve të komunave të Kosovës është nënçmuese edhe për mënyrën e zgjedhjes edhe për përgjegjësitë që ka kryetari i komunës”, thuhet në reagimin e AKK-së.
AKK thekson se kryetari i komunës sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, përgjegjësitë i ka tejet të mëdha.
“Kryetari i komunës sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, përgjegjësitë i ka tejet të mëdha, përveç që zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët, kryetari i komunës ndër të tjera përfaqëson komunën dhe ka përgjegjësi direkte ndaj qytetarëve të saj; udhëheq ekzekutivin e komunës dhe administratën e saj dhe mbikëqyr administrimin financiar të komunës; ushtron të gjitha kompetencat, të cilat nuk i jepen në mënyrë eksplicite kuvendit të komunës apo komiteteve të tij. Ndërsa, në anën tjetër, një zëvendësministër ndihmon ministrin dhe është pjesë e hierarkisë administrative, zëvendëson ministrin në rastet e mungesës së tij të përkohshme apo për përgjegjësitë e deleguara shprehimisht nga ministri”, thuhet tutje në reagimin e AKK-së.
Po ashtu, sipas AKK-së, me këtë projekt-ligj shihet qartë që emërimi politik i një zëvendësministri bëhet më i rëndësishëm dhe më i çmuar se një kryetar komune i zgjedhur me zgjedhje të drejtpërdrejta nga qytetarët.
"Pra, si të tilla, këto përgjegjësi nuk reflektojnë nivelin e pozicionimit të një kryetari komune në Draft-ligjin e pagave”, thuhet tutje në reagim.
AKK-ja thotë se do të angazhohet më gjithë kapacitetin e vet që këto ndryshime të reflektohen në projekt ligjin për paga në sektorin publik në takimet me komisionet parlamentare.