Vuçiq: Serbia për vazhdimin e dialogut
Lajme

Vuçiq: Serbia për vazhdimin e dialogut

Anamari Repiq, RTK/Beograd

Serbia është e vendosur të vazhdojë dialogun përderisa formimi i Asociacionit është i domosdoshëm, ka thënë sot presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në takimin me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak.

Presidenti Vuçiq ka bërë të ditur se me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, ka biseduar për situatën në Kosovë.

“Kam shqyrtuar ngjarjet e fundit në Kosovë dhe problemet me të cilat ballafaqohen serbët për shkak të lëvizjeve të njëanshme dhe jolegjitime të Prishtinës”, ka shkruar Vuçiq në Instagram pas takimit me Lajçakun, duke kërkuar formimin e Asociacionit.

“E theksova domosdoshmërinë e zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe respektimin e të drejtave dhe vullnetit të popullit tonë. Serbia është e vendosur të vazhdojë dialogun konstruktiv, me qëllim të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit dhe arritjes së kushteve më të mira për jetën e të gjithë qytetarëve”, ka shkruar Vuçiq në Instagram pas takimit me Lajçakun.

Përfaqësuesi special të BE-së, ka takuar edhe shefin e diplomacisë serbe, Ivica Daçiq.

Më parë, në një intervistë televizive Lajçak tha se gjatë vizitës së tij në Beograd dhe Prishtinë, do të diskutohet se si do të respektohet marrëveshja për targa, si dhe hapat e ardhshëm për normalizimin e marrëdhënieve sipas planit franko-gjerman.

Lajçak erdhi në Beograd pas reagimit të ashpër të Vuçiqit për emërimin e Nenad Rashiqit ministër në Qeverinë e Kosovës. Kjo ka qenë arsyeja që Beogradi të akuzojë Prishtinën për shkelje të Marrëveshjes së Brukselit, ndërsa Rashiqin se nuk përfaqëson serbët, duke fyer kryeministrin Kurti.

 

 


MË SHUME NGA Lajme