Bislimi: Qëllimi i Kosovës është anëtarësimi në Bashkimin Evropian
Lajme

Bislimi: Qëllimi i Kosovës është anëtarësimi në Bashkimin Evropian

V.Thaçi / RTKlive

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim Drejtorin e Përgjithshëm për Punë Evropiane në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Greqisë, Leonidas Rokanas, i shoqëruar edhe shefja e Zyrës Ndërlidhëse greke në Kosovë, Heleni Vakali.

Bislimi i uroi mirëseardhjen në Kosovë ambasadorit Rokanas, i cili tha se u mahnit nga pasuritë natyrore të Kosovës dhe siç ai e përkufizoi “erës evropiane që frynë në Kosovë”, njofton Zyra e Kryeministrisë.

Dy palët biseduan mbi bashkëpunimin dhe miqësinë mes Kosovës dhe Greqisë.

Rokanas tha se vendet tona duhet të intensifikojnë punën dhe angazhimin me njëra-tjetrën. Objektivi final për Kosovën duhet të jetë integrimi në Bashkimin Evropian, perspektivë kjo e nisur në Selanik në vitin 2003 për Kosovën dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, që të ecin së bashku në harmoni dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse, thuhet tutje në njoftim.

Kurse zëvendëskryeministri Bislimi shtoi se qëllimi final i Kosovës është anëtarësimi në Bashkimin Evropian, e tashmë po ndërmerret hapi i parë, që është ai i aplikimit për anëtarësim. Në ndërkohë, vendi po ecën përpara me ritëm të shpejtë në avancimin e agjendës evropiane dhe përafrimit me standardet e Bashkimit Evropian, ku dallohet puna e bërë nga Qeveria në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, demokratizimin e shumë fusha të tjera. “Ne jemi të gatshëm, që përmes përkushtimit tonë, ta përshpejtojmë progresin në këto fusha dhe rrjedhimisht rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian”, u shpreh zëvendëskryeministri Bislimi.

Ai po ashtu ka thënë se është e rëndësishme që vendet tona të vazhdojnë të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën dhe të zgjerojnë hapësirat e ndërveprimit, veçanërisht në sferat sociale, kulturore, por edhe në përballimin e sfidave të përbashkëta si kriza energjetike dhe tranzicioni drejt energjisë së gjelbër. "Ky bashkëpunim i ngushtë do të kontribuonte në krijimin e urave mes vendeve dhe njerëzve tanë", tha ai.

Në përfundim, zëvendëskryeministri Bislimi, ka ritheksuar se angazhimin në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian, mbështetjen e fuqishme të qytetarëve ndaj integrimit në BE, përkushtimin e Kosovës dhe rëndësinë e marrëdhënieve të mira fqinjësore.


MË SHUME NGA Lajme