Kurti: Nuk mund të ketë barazi në shoqëri pa barazi gjinore
Foto: Qeveria e Kosovës
Lajme

Kurti: Nuk mund të ketë barazi në shoqëri pa barazi gjinore

E.Hoti/RTKlive

Mbështetja për gratë e vajzat dhe fuqizimi ekonomik i tyre, ishin në qendër të vizitës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Qendrën Këshilluese për Gra (Consulting Center for Women).

Në njoftimin për media të ekzekutivit bëhet e ditur se në takimin e kryeministrit Kurti me drejtoreshën e organizatës joqeveritare “Lady”, Sanija Murati, u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë dhe organizatave joqeveritare.

"U potencua domosdoshmëria e nismave të përbashkëta për ta çuar përpara zhvillimin dhe barazinë në shtetin tonë. U tha se nuk mund të ketë barazi në shoqëri, pa barazi gjinore", thuhet në njoftim. 

Kryeministri Kurti në këtë takim theksoi se në kuadër të Pakos së ringjalljes ekonomike, vëmendje e veçantë i është dhënë fuqizimit të grave në ekonomi e shoqëri. Ai theksoi veprimet e ndërmarra nga Qeveria, sikurse Masa 1.3 Mbështetja e Punësimit të Grave, në kuadër të së cilës ka pasur 3.571 punëtore përfituese dhe 1.490 biznese përfituese; si dhe masa 2.1.2 Mbështetja e bizneseve, që janë në pronësi të grave, ku deri më tani, kemi pasur 43 aprovime.

Në total, sipas njoftimit të Qeverisë, vlera e subvencionimit është 491.988 euro, kurse vlera e kreditimit të mundësuar tejkalon 3 milionë euro.

Në këtë takim, u bisedua për punën e Qendrës këshilluese për gra drejt arritjes së kompetencave profesionale dhe personale të grave dhe vajzave, duke krijuar mundësi të integrimit në shoqëri përmes projekteve socio-ekonomike.


MË SHUME NGA Lajme