Samiti i BE - Ballkani Perëndimor, nga Ukraina tek përforcimi i sigurisë
Lajme

Samiti i BE - Ballkani Perëndimor, nga Ukraina tek përforcimi i sigurisë

rtsh.al

Vemendja ndërkombëtare do të përqëndrohet gjatë të martën në Tiranë, ku për herë të parë do të mbahet Samiti BE- Ballkani Perëndimor. 

Temat kryesore, të cilat do të diskutohen, do të jenë lufta në Ukrainë, migracioni, lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar, si dhe përforcimi i sigurisë me qëllim parandalimin e ndërhyrjeve të huaja.

Veçanërisht, lidhur me luftën në Ukrainë, në fokus do të jenë përballimi i sfidave të përbashkëta që vijnë, si pasojë e agresionit rus. Në qendër të vemendjes do të jenë efektet negative që ka sjellë lufta në energji dhe sigurinë ushqimore në Ballkanin Perëndimor. 

Samiti i Tiranës do të jetë një mundësi për të diskutuar veprimet e koordinuara për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes, të cilat janë bërë edhe më të rëndësishme në kontekstin e agresionit rus kundër Ukrainës. Kjo përfshin luftën ndaj manipulimit të informacionit të huaj dhe përmirësimin e sigurisë kibernetike.

Një tjetër pikë mjaft e rëndësishme e përfshirë në agjendë është edhe emigracioni. Pritet që udhëheqësit evropianë do të shkëmbejnë pikëpamjet për menaxhimin e emigracionit duke qenë se ka pasur një rritje të ndjeshme të të rinjve nga Ballkani Perëndimor që janë larguar nga vendi, përfshirë këtu edhe Shqipëria.

Në diskutim do të jenë edhe politikat e vizave të BE-së dhe bashkëpunimi për kthimin e klandestinëve. Përfaqësuesit e lartë evropianë pritet të diskutojnë mbi forcimin e bashkëpunimit kundër-terrorizmin dhe parandalimin e radikalizimit.

Për mbarëvajtjen e samitit janë angazhuar forca të shumta sigurie. Rreth 1500 efektivë policorë pritet të jenë në terren. Masat konsiderohen si zbatim i protokolleve të BE. 


MË SHUME NGA Lajme