Kurti pas takimit me Lajçakun: Qeveria e vendosur për ruajtjen e paqes
N.Mekolli /RTKlive
(E plotësuar) Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Bëhet e ditur se mbarëvajtja dhe dinamizimi i procesit të dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, elementet e kornizës themelore të marrëveshjes, zhvillimet e fundit në Kosovë dhe çështje tjera aktuale ishin temat kryesore të takimit.
“Kryeministri Kurti e falënderoi z. Lajçak për angazhimin e tij në dialog, ndërsa ritheksoi elementet e kornizës së marrëveshjes për normalizimin e plotë të raporteve me njohjen reciproke në qendër”, njofton zyra për informim e Kryeministrit.
Gjithashtu bëhet e ditur se kryeministri e njoftoi Lajçakun që Qeveria është në përfundim të përgatitjeve për aplikimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Kryeministri Kurti ka ritheksuar se Qeveria është e vendosur për sundimin e ligjit dhe e përkushtuar në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Republikën e Kosovës.
Lajçak: Po punojmë për takimin Kurti- Vuçiq brenda javësh Video

M.Miftari/RTKlive
(E plotësuar) Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
I dërguari i Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha para gazetarëve se janë duke punuar që takimi i radhës i nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, të mbahet brenda javësh.
“Nuk ka më afate, nuk ka më kriza dhe ne mund të diskutojmë për substancën. Pikërisht për këtë arsye jam këtu për të rikthyer diskutimet tona në normalizim dhe për të diskutuar mbi procesin në hapat e ardhshëm, për t'u siguruar që takimi të jetë i përgatitur mirë dhe ne, vërtetë, besojmë se nuk ka kohë për të humbur”, deklaroi Lajçak.
Ai, tutje, tha se në takimin me kryeministrin Kurti ka diskutuar mbi situatën në veri të Kosovës dhe për përgatitjen për zgjedhjet lokale, si dhe për çështjen e energjisë, që është ende e pazbatuar dhe që, sipas tij, po punohet që ajo të zbatohet, por edhe për personat e zhdukur.
“Pra, tani kemi situatë normale që është pozitive. Dhe ne duam të kthehemi për të diskutuar për e normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
I pyetur nga gazetari lidhur me kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës dhe, po ashtu, për marrëveshjen që duhet arritur në mars të vitit të ardhshëm, Lajçak tha se për këtë çështje, pra për kthimin e serbëve në institucionet shtetërore në Kosovë, kam bisedar me kryetarin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dje në Beograd, si dhe tani me kryeministrin Kurti, këtu në Prishtinë, dhe ajo që mund të them është se kemi një vakum serioz institucional, që nuk është mirë as për njerëzit e as për askënd. Ne duam që ata të kthehen në vendet e tyre të punës, këtë dua të dëgjoj nga të dyja palët dhe ne, si BE, do të jemi të kënaqur nëse mund të ndihmojmë në përmirësimin e gjendjes në terren.
Kurti takon Lajçakun, dialogu temë diskutimi
N.Mekolli /RTKlive
(E plotësuar) Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe të dërguarit të Posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ka nisur rreth orës 9:00.
Pas vizitës në Beograd, përfaqësuesi BE-së, sot ka arritur edhe në Prishtinë. Lajçak, përmes një njoftimi në Twitter, tha se me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, ka diskutuar për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë, por edhe për tema të tjera.

Lajçak arriti në Kryeministri

(E plotësuar) I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ka arritur në Kryeministri.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pret sot në takim emisarin e BE-së, i cili dje qëndroi në Beograd.
Lajçak, përmes një njoftimi në Twitter, mbrëmë tha se me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, ka diskutuar për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë, por edhe për tema të tjera.

Kurti sot pret në takim Lajçakun

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pret sot në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Pas vizitës në Beograd, përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak sot do të vijë edhe në Prishtinë.
Raportohet se Lajçak do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Takim nis në orën 09:00, njoftoi Qeveria e Kosovës.
Lajçak, përmes një njoftimi në Twitter, tha se me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, ka diskutuar për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë, por edhe për tema të tjera.
“Ne folëm edhe për çështjet aktuale, duke përfshirë kthimin e serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës, Udhërrëfyesin e Energjisë dhe personat e zhdukur”, shkruan Lajçak në Twitter.
Disa ditë më parë, Lajçak ka thënë se në takimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq do të sigurohet se të dyja vendet po respektojnë marrëveshjen për targa.























