Mbajtja e samitit në Tiranë tregon vlerësimin që BE-ja po i jep rajonit
BKT
Lajme

Mbajtja e samitit në Tiranë tregon vlerësimin që BE-ja po i jep rajonit

Kosovare Gashi /Radio Kosova

Në Shqipëri sot do të zhvillohet Samiti ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor. Kosova do të përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani. Këshilli i Evropës ka  bërë të ditur se katër temat kryesore të  diskutimit janë: pasojat e agresionit të luftës në Ukrainë, përforcimi i marrëdhënieve politike ndërmjet vendeve, siguria kibernetike dhe menaxhimi i emigracionit.

Njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare e vlerësojnë të rëndësishëm mbajtjen e këtij samiti e sidomos në një vend të Ballkanit Perëndimor.

Për herë të parë Shqipëria si vend jo anëtar i Bashkimit Evropian do të jetë nikoqir i samitit BE- Ballkani Perëndimor. Në këtë takim udhëheqësit e Bashkimit Evropian pritet të zotohen për mbështetje dhe përshpejtim të procesit të zgjerimit të BE-së, me përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kosova do të përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani. Për  profesorin e marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti,  mbajta e samitit në Shqipëri, tregon për rëndësinë që BE po i jep Ballkanit Perëndimor, derisa thekson se edhe Kosova mund të jetë përfituese e këtij samiti.

“Vetë mbajtja e këtij samiti nënkupton vlerësimin që BE po i jep këtij rajoni, dhe Kosova besoj që do të jetë njëra nga përfitueset për faktin që nuk po lihet anash, dhe çfarëdo agjende e përcaktuar nga BE-ja, gjithsesi do të përfshijë në të ardhmen edhe Kosovën”, ka theksuar Hoti për Radio Kosovën.

Ndërkaq, analisti Gazmir Raci, ka thënë se nga ky samit pret që për Kosovën të fokusohen në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai konsideron se liderët e Bashkimit Evropian që do të marrin pjesë në samit mund të japin mendimet e tyre për planin evropian për dialogun Kosovë -Serbi.
 

“Do të ishte mirë që në fakt samti të kishte një unitet të shteteve të BE-së për dialogun, në mënyrë që të ecet më shpejt drejt një marrëveshje finale. E nëse arrihet kjo të përfshihet në konkluzionet e samitit, atëherë Kosova do të jetë fituesja kryesore e këtij samiti”, theksoi Raci për Radio Kosovën.

Katër temat ku do të fokusohet samiti janë: pasojat e agresionit të luftës në Ukrainë, përforcimi i marrëdhënieve politike ndërmjet vendeve, siguria kibernetike dhe menaxhimi i emigracionit. Ndërkohë, përveç liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, liderët e BE-së që pritet të marrin pjesë në samit janë  edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, [presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, e lider të tjerë.


MË SHUME NGA Lajme