225-vjetori i lindjes së Naum Veqilharxhit,ideologut të Rilindjes Kombëtare
Kulturë

225-vjetori i lindjes së Naum Veqilharxhit,ideologut të Rilindjes Kombëtare

atsh

225 vjet më parë lindte Naum Veqilharxhi, ideologu i parë i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, mendimtar i shquar, illuminist e veprimtar i shkollës shqipe. Lindi në Vithkuq të Korçës, ku kaloi fëmijërinë. Para vitit 1806 mërgoi me familjen në Moldavi (Kishinjev).

Më 1821 mori pjesë në kryengritjen e eteristëve në Rumani kundër robërisë osmane si një nga udhëheqësit e saj, bashkë me shqiptarë të kolonisë së atjeshme. Iu kushtua çështjes së Çlirimit të Shqipërisë, duke u udhëhequr nga ideja themelore iluministe se një popull mund të dalë nga prapambetja vetëm po të shkruajë gjuhën amtare dhe po të përhapen arsimi dhe kultura kombëtare.

Më 1824 nisi punën për përpilimin e një alfabeti të veçantë të shqipes me 33 shkronja, të pranueshëm nga të gjithë, për të kapërcyer dasitë që lidheshin me alfabetet e tjera. Synoi që sistemi shkrimor t’u përshtatej veçorive të fonetikës së shqipes. Me këtë alfabet botoi më 1844 të parën abetare të shqipes, “Evëtarin”.

Përgatiti gjithashtu një gramatikë dhe libra e dorëshkrime të tjera që nuk janë ruajtur. Më 1846 hartoi një “Letër qarkore” (enciklikë) greqisht, drejtuar bashkatdhetarëve ortodoksë në Shqipëri. Largpamësia e Naum Veqilharxhit qëndron, jo vetëm në shtytjen që i dha lëvizjes së popullit shqiptar kundër robërisë shekullore osmane, por edhe në faktin se është i pari që dalloi e paralajmëroi rrezikun që do t’i vinte kombit nga qarqet shoviniste greke e nga politika e Patriarkanës.

Naum Veqilharxhi e kuptoi rrezikun e madh të shkombëtarizimit që vinte nga shkollat e huaja dhe punoi për një shkollë shqipe me përmbajtje laike dhe për të gjithë fëmijët e popullit. E pasuroi shqipen me një varg termash të kulturës e të dijes. Naum Veqilharxhi u përpoq gjithashtu të krijonte një shoqëri kulturore që të bashkonte atdhetarët e tjerë. Vdiq në Stamboll, i helmuar nga Patriarkana. Me veprën e tij u bë shprehës i një kthese me rëndësi në historinë e kombit shqiptar.


MË SHUME NGA Kulturë