LDK: Qeveria të ketë plan konkret për gjendjen në veri
V.Thaçi /RTKlive
Pas zhvillimeve në veri të vendit, LDK-ja ka kërkuar nga Qeveria qartësi dhe plan konkret për gjendjen atje.
Përmes një komunikate për media Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se po ndjek me shqetësim të thellë ngjarjet e fundit në veri të vendit, sulmet ndaj institucioneve dhe ndaj rendit kushtetues të Republikës.
LDK-ja dënon sulmet e sotme dhe kërkon që, të gjithë ata që janë përfshirë të identifikohen dhe sa më parë të vihen para institucioneve të drejtësisë, thuhet në komunikatë.
LDK-ja vlerëson se në këto momente është e domosdoshme që institucionet e Kosovës, të koordinojnë të gjitha veprimet me partnerët tanë me qëllim të ofrimit të sigurisë për gjithë qytetarët e vendit dhe institucionet e pavarura. Qetësia, siguria dhe ushtrimi i sovranitetit në tërë territorin e vendit nuk kanë alternativë, thuhet tutje në komunikatën e Lidhjes Demokratike ta Kosovës.























