Sonte jepet premiera e shfaqjes "Molly"
Kulturë

Sonte jepet premiera e shfaqjes "Molly"

V.Thaçi / RTKlive

Sonte do të jepet premiera e shfaqjes "Molly" e cila flet për një grua të verbër dhe udhëtimin e saj drejtë kthimit të shikimit. Shfaqja në tërësi është sfiduese për shkak të temës shumë të ndjeshme që trajton.

“Gjithmonë është sfiduese të mendosh se duhet të luash në skenë diçka që nuk e ke përjetuar asnjëherë dhe sidomos dija që njerëz të cilët këtë realitet e jetojnë për çdo ditë, mund të mësojnë për shfaqjen dhe të mos ndihen të përfaqësuar nga ajo, është diçka që gjithmonë të sillet nëpër mendje”, tha aktorja Verona Koxha.

Ajo u shprehë se bashkë me ekipin, kanë bërë punë të mirë që kjo shfaqje të dalë sa më mirë.

“Sidoqoftë, bashkë me koleget e mi Afrim Muçaj dhe Bujar Ahmeti, në bashkëpunim me regjisoren, jemi munduar ta bëjmë më të mirën tonë që kjo premierë të jetë, jo thjesht një shfaqje, por një thirrje shoqërore për t'i kthyer sytë kah përvojat e personave me aftësi të kufizuara, të cilët në Kosovë sidomos, ballafaqohen me sfida nga më baziket. Ne e kemi bërë punën tonë përkundër të gjitha pasigurive e sfidave, dhe shpresojmë që këtë ta reflektojmë në mënyrën më të mirë tek publiku sonte në ora 20:00. Procesi i provave ka pasur sfidat të cilat janë të zakonshme, e sidomos tani në situatën në të cilën ndodhet Teatri Kombëtar i Kosovës, me mungesën e një hapësirë konvencionale teatrore” është shprehur aktorja.

“Sidoqoftë, vullneti ka qene i dyanshëm, edhe nga ne edhe nga menaxhmenti i teatrit, për të sjellë këtë shfaqje, për ta hapë këtë debat shoqëror, si dhe për ta pasuruar skenën e teatrit në Kosovë duke e përfaqësuar edhe një narrativ shoqërore. e cila deri tash nuk ka qenë shumë e përfaqësuar në skenën tonë teatrore”, tha ajo.

Ndërsa aktori Afrim Muçaj u shpreh i  kënaqur për arritjet e kësaj shfaqje. Po ashtu ai tha për Radio Televizionit të Kosovës (RTK), se një rol të tillë e ka punuar për herë të parë, dhe se sipas tij, ka qenë sfiduese, i cili në këtë shfaqje e luan doktorin.

“Të them drejtën ka qenë një rol që nuk e kam realizuar asnjëherë me parë, dhe si i tillë ka qenë sfidues. Është bërë një punë intensive dhe një përkushtim e dashuri e madhe nga i gjithë ekipa e 'Molly-t' dhe ne po besojmë që kemi bërë një shfaqje interesante dhe shpresojmë që do ngjallë interesimin e publikut. Mund të them që ndihem shumë mirë që jam pjesë e 'Molly-t', një ekipi i vogël realizuese, por fantastik siç e kemi pas ne, ka bërë që të mërkurën t’u japim publikut një shfaqje të mirë”, tha aktori Muçaj.


MË SHUME NGA Kulturë