Sveçla: Situata në veri e qetë, policia garanton mbajtjen e zgjedhjeve
Foto: MPB
Lajme

Sveçla: Situata në veri e qetë, policia garanton mbajtjen e zgjedhjeve

M.Shefkiu/RTKlive

Situata në veriun e Kosovës është e qetë, ndërsa Policia e Kosovës ka plane për situatën në terren. Kështu ka vlerësuar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka qëndruar sot në Mitrovicë.

Pas incidenteve të mbrëmshme që ndodhën në pjesën veriore, Sveçla tha se ka ardhur në këtë rajon pasi “ka shumë punë për të bërë”. “Ka shumë punë në këtë zonë, prandaj edhe kam ardhur për t’i koordinuar punët. Situata është e qetë”, ka deklaruar Sveçla.

Ministri i Brendshëm foli edhe për mbajtjen e zgjedhje në veri dhe për deklaratën e ambasadorit amerikan Jeff Hovenier, se nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhje.

“Kemi kapacitete mbajtjen e zgjedhjeve. Policia e Kosovës bënë planet e saj dhe në bazë të vlerësimit të saj i shtojmë kapacitet aq sa të ketë nevojë”, tha Sveçla, sipas të cilit, deklaratat e ambasadorit amerikan janë të mirëseardhura.

“Ai ka dhënë një opinion ne e vlerësojmë atë, janë institucionet përkatëse që i bëjnë vlerësimet e duhura”, u shpreh ai.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Jeff Hovenier, derisa ka dënuar dhunën dhe frikësimin në veri, konsideron se nuk ka kushte për momentin që zgjedhjet të mbahen në fund të këtij muaji në veri të Kosovës.

“SHBA-të janë të shqetësuara se nuk janë krijuar kushtet për momentin që zgjedhjet të mbahen në fund të këtij muaji në veri të Kosovës. Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë. Ne kërkojmë që të gjithë të përfshirët të ushtrojnë përmbajtje”, ka deklaruar ambasadori Hovenier.


MË SHUME NGA Lajme