Para Samitit, Kurti në pritjen e kryetarit të Vjenës, Michael Ludwig
Foto: Qeveria e Kosovës
Lajme

Para Samitit, Kurti në pritjen e kryetarit të Vjenës, Michael Ludwig

Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

(E plotësuar) Pas Akademisë Austriake të Shkencave, kryeministri i vendit, Albin Kurti ishte i pranishëm në pritjen e organizuar nga kryetari Vjenës, Michael Ludwig, organizim ky që i paraprinë Samitit të Liderëve të Socialistëve dhe Demokratëve të Ballkanit Perëndimor.

Aty, kryeministri Kurti së bashku me Kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, patën mundësi që të shoqërohen dhe të diskutojnë me pjesëmarrësit e Samitit që do të mbahet nesër.  ​

Kurti pritet në Akademinë Austriake të Shkencave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti qëndrimin në Austri, e ka filluar me një takim në Akademinë Austriake të Shkencave. Shefi i ekzekutivit kosovar aty u prit nga kryetari i Divizionit të Shkencave Humane dhe Sociale, Oliver Schmitt dhe dy hulumtuesit në njësinë e Studimeve Ballkanike, Joachim Marzinger dhe Robert Pichler.

“Gjatë bisedës u fol për punën e Akademisë në përgjithësi dhe për njësinë e Studimeve Ballkanike në veçanti”, ka njoftuar Qeveria.

Ndërkohë, kreu qeveritar pati mundësi të shoh edhe botime origjinale të rralla të periudhës së Rilindjes, gjatë vizitës në departamentin e Albanologjisë.

Akademia Austriake e Shkencave u themelua në vitin 1847. E përbërë nga 25 institute kërkimore në fushën e artit, shkenca humane dhe sociale dhe shkencave natyrore, ajo është institucioni austriak kryesor jouniversitar për hulumtime bazë.

Udhëtimi i kryeministrit në Austri u bë për të qenë pjesë e Samitin e Liderëve të Socialistëve dhe Demokratëve të Ballkanit Perëndimor, me temë “Zgjerimi i Ballkanit Perëndimor TANI! Për një shoqëri sociale, demokratike, paqësore”.​


MË SHUME NGA Lajme