Përplasje e ashpër mes ministres Haxhiu e deputetes, Doarsa Kica-Xhelili
BKT
Foto: RTKlive
Lajme

Përplasje e ashpër mes ministres Haxhiu e deputetes, Doarsa Kica-Xhelili

Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

(E plotësuar) Shqyrtimi në parim i Projektligjit për ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale ka quar në përplasje të ashpër ministren e Drejtësisë, me ish deputeten e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Doarsa Kica-Xhelili.

Haxhiu derisa ka përmendur ndryshimet që do t’i sjellë ky Kod i Procedurës Penale në veçanti për rastet e dhunës në familje, dhunës në baza gjinore e dhunës seksuale ka përmendur faktin e paraburgimit me automatizëm për dhunuesit.

“Kohëve të fundit siç e dini kemi pasur raste kur persona që kanë qenë të dyshuar për dhunë në familje, dhunë seksuale, nuk ka pasur masë të paraburgimit ndaj tyre, por janë liruar me procedurë të rregullt. Prandaj, duhet të bëhet ndryshimi i tillë që përcakton se ndaj personave që dyshohen për dhunë në familje e dhunë seksuale, shqiptohet masa e paraburgimit”.

Pikërisht ishte kjo çështja që qoi në përplasje mes ministres Haxhiu e deputetes, Doarsa Kica-Xhelili.

Sipas deputetes së LDK-së, rastet e dhunimit e dhunës në familje me të drejtë po shpallen urgjencë kombëtare, por sipas saj kjo urgjencë nuk duhet të nënkuptojë eufori propozimesh të pamenduarta mirë e që do të përfundojnë të qenit të pazbatueshme.

Ajo ka përmendur se paraburgimi automatik është në kundërshtim me Kushtetutën dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Ndaj saj kishte reagim të ashpër nga ministrja Haxhiu. Ajo tha se nuk kishte pritur që përfaqësuesit e popullit të marrin detyrën e mbrojtjes së kriminelëve.

“Mos manipulo. Më beso kur dëgjoj çka flitet në këtë foltore them sa keq që po na dëgjojnë qytetarët. Të paktën si grua dhe si nënë është dashur të jemi bashkë në këtë betejë, kjo qasje është për keqardhje. Shumë keq nëse të kanë dëgjuar viktimat”, iu drejtua Haxhiu deputetes së LDK-së.

Përplasja e tyre nuk përfundoi me aq. Deputetja e LDK-së tha se Haxhiu nuk mund t’i moralizojë në foltore e t’i përmend faktin se është nënë e një vajze.

“A seriozisht po mendon që e ke legjitimitetin ti të dalësh në foltore e të më moralizosh mua në anën e kujt jam, sepse paguaj kosto politike për t’i thënë ato që ti nuk guxon, sepse ti do vetëm përfitim publik për atë që po e sjellë. Jo, unë nuk jam këtu për atë arsye, nuk jam as për eufori e as për populizëm”, tha Doarsa Kica-Xhelili derisa iu përgjigj në replikë ministres Haxhiu.

Tutje, Kica-Xhelili akuzoi Vetëvendosjen se e kanë veç një mision të kapin atë që masa do që ta dëgjojë, pavarësisht sanksioneve që mund të përfundojnë për ta.

Menjëherë replikë pati nga ministrja Haxhiu që tha se nuk mund ta marr seriozisht deputeten e LDK-së.

“Unë kam shumë probleme me njerëzit që sapo t’i ndryshojnë karriget e ndryshojnë gjuhën. Nuk mund të marr seriozisht Doarsë, më vjen keq. Nuk mundëm t’i marr seriozisht njerëzit që e kanë hallin e klientelës. Je vetëm farsë”, i tha ajo.

Ndërkohë deputetët opozitar i kanë kërkuar kryetarit të Kuvendit që këtë Projektligj ta dërgojë në Komisionin e Venecias, në mënyrë që të ketë qartësi, por kryeparlamentari tha se nuk mundet që secilin Projektligj ta adresoj në atë Komision.

Në fund, në përpjekjen e dytë i njëjti Projektligj arriti t’i marr votat e deputetëve. Ndryshe nga hera e parë kur kishte vetëm 60 vota për, në tentimin e dytë u bënë 63 dhe kështu i njëjti kaloi për t’u trajtuar tutje në mes të dyja leximeve në komisionet përkatëse.

Ndryshe nga votimi i Projektligjit për Kodin e Procedurës Penale, kuorum për vendimmarrje nuk pati për ndryshimin e Kodit Penal.

Ndërkohë, në seancën e sotme me 69 vota për e asnjë kundër kaloi edhe Projektligji për Prokurorinë Speciale.

Votohet Projektligji për trajtimin e ndërtimeve pa leje

Pas një debati të gjatë, që u përcoll gjatë ditës në Kuvendin e Kosovës, kur u trajtua plotësim-ndryshimi i Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, në orët e pasdites këto ndryshime e plotësime në këtë Projektligj arritën të votohen nga deputetët e Kuvendit, ndonëse për t’i siguruar votat e mjaftueshme u desh të përsëritet dy herë votimi.

Fillimisht ky ndryshim nuk arriti t’i merrte votat e mjaftueshme dhe për të votuan vetëm 56 deputetë ndonëse në sallë numri i tyre ishte 66, por kur të tjerë ligjvënës u kthyen në sallë plenare i njëjti u riprocedua në votim, përpjekje kjo që rezultoi e suksesshme.

Për këtë Projektligj votuan 62 deputetë derisa 4 të tjerë abstenuan.


MË SHUME NGA Lajme