Lajçak merr mbështetjen e Schallenberg për dialogun Kosovë -Serbi
M.Shefkiu/RTKlive
Ministri federal për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë, Alexander Schallenberg i ka dhënë mbështetje të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovës-Serbi, Mirosllav Lajçak, për vazhdimin e negociatave për normalizimin e plotë ndërmjet dy vendeve.
Në një takim që kanë zhvilluar Schallenberg e Lajçak, bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë kanë qenë temë boshte.
“Faleminderit Miroslav Lajcak për një tjetër diskutim të thelluar për Ballkanin Perëndimor. Keni plotësisht mbështetje në përpjekjet tua për dialogun Beograd - Prishtinë dhe bisedimet për normalizimin. Ne kemi nevojë për depërshkallëzim dhe angazhim konstruktiv”, ka shkruar në Twitter Schallenberg.
Edhe Lajçak në përgjigjen tjetër në Twitter, thotë se e çmon bashkëpunimin dhe mbështetjen e diplomatit austriak.
“Ne e përditësuam njëri-tjetrin për aktivitetet tona më të fundit në Ballkanin Perëndimor dhe rrugën përpara. Faleminderit për mbështetjen e vazhdueshme të fortë të Austrisë”, ka shkruar Lajçak.