Projektligji i pagave në Kuvend, anesteziologët me disa kërkesa|Video
Lajme

Projektligji i pagave në Kuvend, anesteziologët me disa kërkesa|Video

Venera Xhoxhaj Adili/RTK

Kuvendi nesër do ta ketë në shqyrtim Ligjin e pagave dhe atë për Zyrtarët publikë. Për hartimin e tyre tashmë kanë përfunduar procedurat e konsultimeve publike dhe komentet e dërguara nga palët e interesit. Komente dërgoi edhe klinika e anestezionit e cila kohët e fundit është përballur me ikjen e anesteziologëve nga shërbimi publik shëndetësor tek ai privat. Por shumica e komenteve të tyre nuk janë pranuar.

11 anesteziologë kanë lënë punën në sektorin publik vetëm në vitin 2022. Largimi i tyre konsiderohet se rrezikon punën e klinikave, gjë që shkakton lista të pritjes. Arsyet që ata dhanë pas largimeve ishin pagat e ulëta e ngarkesa për shkak të numrit të pamjaftueshëm të tyre në QKUK.

Madje, për dallim prej profesionistëve të tjerë shëndetësorë që zgjidhjen e gjetën jashtë vendit, anesteziologët u fokusuan kryesisht nëpër klinika e spitale private brenda vendit. Por, ata që po vazhdojnë punën brenda Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, e shfrytëzuan mundësinë që të përcjellin komentet përgjatë konsultimeve parapake për projektligjin për pagat në sektorin publik.

Ndër komentet e anesteziologëve që nuk u pranua nga hartuesit e Projektligjit për paga, ishte që pozitat në sistemin shëndetësor me atë gjyqësor e prokurorial të jenë ekuivalente. 

“Pozitat në sistemin shëndetësor, gjyqësor e prokurorial do të duhej të ishin ekuivalente, si psh. specialisti në shëndetësi në kujdesin shëndetësor të nivelit parësor duhet të ketë koeficientin si gjyqtari në Gjykatën Themelore (12,6), specialisti në spitale të përgjithshme në kujdesin shëndetësor të nivelin dytësor të ketë koeficientin si gjyqtari në Gjykatën e Apelit (13,4) dhe specialisti në kujdesin shëndetësor në nivel tretësor të ketë koeficientin si gjyqtari në Gjykatën Supreme (15,5). Me këtë do të bëhej diferencimi më i drejtë mes specialistëve të tri niveleve shëndetësore dhe do të ishte i krahasueshëm me pozita të rëndësisë së ngjashme në sistemin gjyqësor, megjithëse gjyqtarët kanë përgatitje arsimore më të ulët se mjekët, nëse u referohemi viteve të studimit dhe aftësimit profesional”.

Ndryshe, sistemi shëndetësor dhe ai i drejtësisë janë sisteme krejtësisht të ndryshme, për të cilat asnjë nga kriteret e përcaktimit të ekuivalentëve nuk është i njëjtë. Gjyqtarët, mjekët dhe çdo pozitë tjetër që rregullohet përmes këtij projektligji, ka rëndësinë dhe peshën e vet, e cila nuk mund të matet me kohëzgjatjen e studimeve të nivelit të njëjtë akademik.

Përveç kësaj, anesteziologëve nuk iu pranuan edhe 11 komente të tjera që emërues të përbashkët kanë pagën dhe punën shtesë.

Hartuesit nuk e pranuan edhe komentin ku theksohet se pse deputetët mund të përfitojnë shtesë për pjesëmarrje në komisione parlamentare, duke theksuar se kjo bie në kundërshtim me nenin 12, paragrafi 5, kur punonjësi me orar të plotë nuk përfiton shpërblim të parashikuar si në parag.1 dhe 2, për pjesëmarrje në mbledhjet e organit kolegjial. Por, përgjigja ishte se e drejta për shtesë për funksionin, deputetëve u njihet në bazë të Ligjit për Imunitetin e Deputetëve.

Drejtori i Klinikës së anesteziologjisë, Gazmend Spahija nuk komentoi gjatë për të gjitha këto, por tha se nga ligji i pagave parashihen përfitime për profesionet deficitare, të cilat shpreson se do t’i gëzojnë edhe anesteziologët, pasi sipas tij, ata kategorizohen në këto grupe.


MË SHUME NGA Lajme