Situata në veri, ndonëse e qetë tensionet po vazhdojnë/Video
Lajme

Situata në veri, ndonëse e qetë tensionet po vazhdojnë/Video

Visar Shatrolli / RTK

Situata në veri të vendit vazhdon të jetë kryetemë e ditëve të fundit. Ndonëse konsiderohet e qetë, tensionet në atë pjesë po vazhdojnë. Edhe mbrëmë u raportua për shok-bomba të cilat shqetësuan banorët e Lagjes së Boshnjakëve.

Krejt këto ngjarje po vijnë si refuzim i serbëve për mbajtjen e zgjedhjeve të cilat tashmë janë shpallur nga institucionet e vendit. Për mundësinë e shtyrjes së tyre sot janë deklaruar presidentja dhe kryeparlamentari. 

Numër i shtuar i forcave të sigurisë janë parë të përqendruara në Urën e Ibrit në Mitrovicë. Shkak për këtë janë bërë edhe dy shpërthime të tjera që ndodhën jo fort larg nga këtu një natë më parë, në lagje të banuara me shqiptarë.

E në këtë lagje, duke patrulluar në këmbë vëreheshin pjesëtarë britanikë të KFOR-it. Pas shpërthimit të mbrëmshëm, edhe qarkullimi i veturave të EULEX-it dukej më i shpeshtë.

Por, shqetësimi i qytetarëve shqiptarë që banojnë në Lagjen e Boshnjakëve vazhdon të jetë prezent, pas tensioneve të krijuara.

"Nuk është mirë shqetësues është po çka me bo realiteti është kështu, jemi duke jetuar në një vend që faktikisht nuk dihet për këta të këtushmit se qysh zgjohen në mëngjes...", shprehet një qytetar për RTK.

Për ata që janë për herë të parë në veri, situata duket normale, por shqetësimi vërehet te banorët që jetojnë këtu.

"Ne shikim të parë situata është mirë, por kur vjen mbrëmja  po sjellë gjithçka,...", thotë Bardhec Bojaj komuna e Klinës.

E gjithë kjo situatë u krijua si refuzim i serbëve për mbajtjen e zgjedhjeve. Megjithatë, për mundësinë e shtyrjes së tyre ka folur sot presidentja Vjosa Osmani e cila ka thënë se vendimi do të merret pasi të bëhet vlerësimi nga institucionet e sigurisë, derisa thotë se të njëjtin pastaj do ta ndajë ditët në vijim me partitë politike ku do të merret vendim me konsensus.

Për këto zgjedhje foli për RTK-në kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

"Nuk besoj që do të shtyhen kjo varet natyrisht prej vlerësimit të institucioneve të sigurisë, dhe natyrisht Qeveria e merr vlerësimin...", tha Konjufca

Për situatën e krijuar, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti që të japë dorëheqje, pasi sipas tij, insistimi që me çdo kusht të mbahen zgjedhjet në veri po e shtyn këtë pjesë drejt një autonomie.


MË SHUME NGA Lajme