Sveçla: Për të garantuar sigurinë, është shtuar numri i policëve në veri
Foto: RTKlive
Lajme

Sveçla: Për të garantuar sigurinë, është shtuar numri i policëve në veri

Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në një intervistë për RTK-në, ka thënë se numri i policëve në Mitrovicën e Veriut është rritur në disa lokacione. Sipas tij, shtimi i prezencës policore në atë pjesë të vendit po bëhet pa qëllime të tjera, përveç rritjes së sigurisë për banorët e këtyre lagjeve.

“Po, është e vërtetë që sipas planeve operacionale të Policisë së Kosovës është rritur numri i policëve të rendit në disa lokacione në Mitrovicën e Veriut dhe kjo ka ndodhur për shkak të incidenteve netëve të kaluara, kur për shkak të sulmeve të personave të paidentifikuar ende, por të dyshuar, është prishur rendi dhe qetësia dhe ka sjellë një situatë pasigurie për qytetarët të cilët banojnë në ato zona. Me qëllim që rendi e ligji të kthehen, t'u garantohet qytetarëve qëndrim i sigurt në shtëpitë e tyre, në lagjet e tyre e në vendbanimet e tyre është marr vendim që të shtohet prezenca e policisë”, tha ministri Sveçla.

Ai ka thënë se policia bën vlerësimet e sigurisë dhe në bazë të këtyre vlerësimeve ka parë të arsyeshme, që të shtohet numri i policëve të rendit, të cilët krejt çka bëjnë, është të ofrojnë siguri për të gjithë banorët aty.

Ministri Sveçla, ndërkohë është shprehur optimist se shumë shpejtë do të sjellin rezultate hetimet për rastet e fundit të sulmeve në veri, dhe kryerësit e sulmeve të dalin para drejtësisë.

“Policia e Kosovës në bashkëpunim me agjencitë tjera dhe në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Speciale po vazhdojnë hetimet e të gjitha sulmeve që kanë ndodhur qoftë ndaj zyrtarëve policorë, po ashtu edhe ndaj qytetarëve, banorëve të kësaj pjese. Unë jam optimist se shumë shpejtë do të dalin me rezultatet e duhura dhe do të propozojnë masat e duhura në drejtim të përndjekjes dhe vënies para drejtësisë të të gjithë atyre të cilët qoftë me akte huligane qoftë me akte terroriste siç ishte sulmi me bombë dore në zyrën e KKZ-së, të vihen para drejtësisë. Mua më kanë siguruar se po punojnë me kapacitete të plota dhe jam i bindur se shumë shpejtë do të ketë rezultatet e duhura”, tha tutje ai.

Sveçla për RTK-në, tha se këto raste nuk janë spontane, por janë të organizuara e të drejtuara nga njerëz profesionistë, të udhëhequr nga Qeveria e Beogradit. “Jo vetëm të mbështetur politikisht edhe financiarisht, por edhe në aspektin e koordinimit. Unë jam i bindur se kapacitetet e policisë janë të duhurat që të ballafaqohen me çdo lloj situate”, tha ai.

Ministri i Brendshëm tha se asnjë qytetar nuk ka nevojë të brengoset për sigurinë e tij e të familjes. “Ne jemi shtet i së drejtës dhe përmes instrumenteve demokratike e kushtetuese do të garantojmë të drejtat e qytetarëve të Kosovës pa asnjë dallim”.

I pyetur nëse në këtë situatë mund të mbahen zgjedhjet në atë pjesë të territorit, ministri tha se institucionet të cilat janë të thirrura për të bërë vlerësimet e duhura po punojnë drejtë pasqyrimit të qartë si të rrethanave, ashtu edhe rreziqeve për çfarëdo procesi zgjedhor këto ditë. “Unë po pres qoftë KQZ-ja edhe Policia të dalin me rekomandimet e tyre të cilat pastaj do t’i përcillen Presidentes, pastaj Kryeministrit e Kryeparlamentarit për të marr vendimet e duhura lidhur me këtë”.

Por, është shfaqur optimist mbi kapacitete e policisë për të ofruar siguri. “Tash nuk mund të parashikojë çfarë mund të ndodhë ditëve në vijim, është mirë që kjo t’u lihet profesionistëve e në bazë të tyre të merren vendimet meritore politike”, shtoi ai.

I pyetur për kërkesat amerikane për shtyrje të zgjedhjeve, Sveçla tha se në vazhdimësi koordinohen me aleatët e vendet partnere dhe patjetër tha se me seriozitetin maksimal do të merren parasysh edhe këto apele.

“Megjithatë për të marr vendimin e duhur është Presidentja e Kosovës ajo që në bazë të vlerësimit të të gjitha institucioneve që janë meritore për të dhënë rekomandime do të marr vendimin e duhur”.

Sveçla tha se të gjitha këto tensione e shkelje të ligjit po ndodhin për shkak të vendimeve kriminale të Qeverisë së Beogradit e jo pse si institucione të Kosovës po zbatojnë ligjin edhe kushtetutën në çdo cep të territorit.

 


MË SHUME NGA Lajme