IKD publikon raportin “Qeverisja me duar të pastra”
BKT
Foto: IKD
Lajme

IKD publikon raportin “Qeverisja me duar të pastra”

RTKlive

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), njofton se në kuadër të Javës Kundër Korrupsion, ka publikuar raportin e titulluar “Qeverisja me duar të pastra”.

Hulumtuesi i IKD-së, Ramiz Durmishi tha se udhëheqja e institucioneve nga persona me dënime apo aktakuza aktive zbeh besimin e publikut. Sipas tij, qeverisja me duar të pastërta rregullisht ishte premtuar nga i gjithë spektri politik, duke shtuar se një gjë e tillë po del të jetë vështirë e realizueshme në vendin tonë.

Ai tutje tha se nga gjetjet e IKD-së në këtë raport rezulton se premtimet e kryeministrit Albin Kurti, se nuk do të ketë ministra me aktakuza nuk qëndrojnë.

“Pra, gjetjet tregojnë se, 9.16% e përfaqësuesve të popullit në Kuvendin e Republikës së Kosovës janë persona të cilët kanë probleme me ligjin. Pra, nga gjithsej 120 deputetë, 11 prej tyre janë persona të cilët kanë aktakuza aktive për vepra të ndryshme, përfshirë ato korruptive”, ka thënë Durmishi.

Durmishi tha se deputetët të cilët IKD i ka identifikuar se kanë probleme me ligjin janë nga tre parti parlamentare, sipas tij, 7 deputet janë nga LVV, 1 nga PDK dhe 2 nga AAK si dhe një deputet pa grup parlamentar. 

Java Kundër Korrupsion organizohet nga Koalicioni i OJQ-ve, ku pjesë e këtij koalicioni janë 6 organizata: Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Lëvizja Fol, Iniciativa për Progres, Çohu dhe Colombus.

Motoja e “Javës Kundër Korrupsion për vitin 2022”, e Koalicionit të OJQ-ve është “Bashkë Kundër Korrupsionit”.


MË SHUME NGA Lajme