11:24 / 11.12.2022
Hovenier: Sulmet ndaj policisë dhe forcave ndërkombëtare, të papranueshme
Sh.Gashi / RTKlive
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka dënuar ashpër sulmin e mbrëmshëm ndaj patrullës së EULEX-it në afërsi të Rudarit.
“Sulmet e dhunshme ndaj policisë së Kosovës dhe personelit të sigurisë ndërkombëtare janë të papranueshme dhe përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi përmes sistemit të drejtësisë së Kosovës”, tha Hovenier.
EULEX-i ka konfirmuar sot se mbrëmë në patrullën e tyre vëzhguese është hedhur një bombë shokuese në afërsi të Rudarit, duke thënë se nuk ka të lënduar apo dëme materiale. Ata dënuan, siç thuhet, aktet e dhunshme, të cilat thonë se “janë kryer nga persona të armatosur nga veriu i Kosovës”.
























