Hoti: Koordinimi me Shtëpinë e Bardhë asnjëherë nuk është i dëmshëm
V. Thaçi / RTKlive
Ish kryeministri Avdullah Hoti, tani deputet i kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike, ka thënë se koordinimi dhe marrëveshjet me Shtëpinë e Bardhë asnjëherë nuk janë të dëmshme për Kosovën.
Ai ka përmendur 4 shtatorin e vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë, kur pas pranimit të njohjes nga Izraeli, kishte pranuar kërkesën e SHBA-së që të shtyjë aplikimin për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
“U patën mobilizuar opozita e atëhershme me akuza për tradhti. Në dhjetor 2021, në fjalën e saj në Kuvendin e Kosovës, Presidentja si zakonisht nxori vrer dhe urrejtje patologjike për këtë veprim timin. Në të vërtetë, ajo çfarë kisha bërë unë në Shtëpinë e Bardhë ishte dakordimi me aleatin kryesor të Kosovës për kohën e përshtatshme për aplikim. Vetëm mendje të sëmura politike mund të cilësonin akt tradhtie një marrëveshje për Kosovën me SHBA-në të arritur në Shtëpinë e Bardhë”, ka shkruar Hoti në rrjetin social Facebook.
Sipas tij, tani presidentja i shtyu zgjedhjet në komunat në veri “pa asnjë bazë kushtetuese”.
“Këtë ajo e bëri me kërkesë të ShBA-së pas situatës së krijuar në komunat në veri dhe në koordinim me shefin e saj në Qeveri. Unë e kuptoj se nuk ka pasur zgjidhje tjetër, por krahasoni vetë këto dy situata: Më 4 shtator 2020, ne bëmë veprim strategjik në koordinim me SHBA-në. Ndërkaq, tani SHBA-ja i nxori këta dy anarkistë nga bataku ku kishin rënë, të cilin e kishte përgatitur Serbia me strukturat kriminale në veri. Këta janë vetëm hipokritë e mashtrues, që shkelin çdo gjë për pozitat e tyre”, ka shkruar tutje Hoti.























