Vazhdon seanca e Kuvendit
BKT
Foto/ RTKlive
Lajme

Vazhdon seanca e Kuvendit

N.Mekolli & M.Miftari/RTKlive

(E plotësuar 17:00) Kuvendi i Kosovës vazhdon seancën e pasdites me shqyrtimin e Projektligjin për vlerësimin e ndikimit në mjedis.

 

Seanca nisi me votimin e këtyre amendamenteve, por që nuk kishte kuorum për votimin e këtyre amendamenteve.

(E plotësuar) Kuvendi shkon në pauzë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shkuar në pauzë deri në orën 16:30.

Kuvendi i Kosovës nuk kishte kuorum për të hedhur në votim Projektligjin për vlerësimin e ndikimit në mjedis.

Seanca e jashtëzakonshme, në të cilën po trajtohet Projektligjit nr.08/L-181 për vlerësimin e ndikimit në mjedis, është caktuar me kërkesën e 40 deputetëve.

Kryeparlamentari, Glauk Konjufca, ka bërë të ditur se Kuvendi do të shkojë në pauzë deri në orën 16:30 për të vazhduar me votimin e kësaj pike dhe më pastaj shqyrtimin e buxhetit për vitin 2023.

Kuvendi ndërpret seancën për buxhet, fillon seancë tjetër

(E plotësuar) Kuvendi  i Kosovës, ka ndërprerë shqyrtimin e amendamenteve të Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e  Republikës së Kosovës për vitin 2023, për t'u kthyer në ora 16:00.

Kuvendi i Kosovës, ka filluar seancën e re ku do të bëjë shqyrtimin e dytë të Projektligjit nr.08/L-181 për vlerësimin e ndikimit në mjedis.

Deputetët në këtë seancë do të trajtojnë projektligjin për vlerësimin e ndikimit mjedisin, ku u votua mocioni për ta shqyrtuar në seancën e sotme, e cila kishte të bënte me shmangie të afateve procedurale.

Komisioni funksional për mjedisin e ka shqyrtuar projektligjin për vlerësimi e ndikimit në mjedis dhe ka rekomanduar miratimin e këtij projektligji bashkë me amendamentet e propozuara nga komisionet  për buxhet e financa, sipas të cilit nuk mbajnë implikime buxhetore shtesë, pastaj komisioni për legjislacion ka thënë se amendamentet janë në pajtim me Kushtetutën; Komisioni  për integrime evropiane, etj.

Mocionin e këtij projektligji e ka propozuar deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Fitore Pacolli, e cila arsyetoi se është direktivë nga Bashkimi Evropian, që ka të bëjë me energjinë, si kërkesë Komiteti të Energjisë, e cila diskuton sot për Kosovën, prandaj ka propozuar që të trajtohet sot, në këtë seancë, ta kalojë në leximi e dytë.

Ndaj këtij propozimi pati vërejtje deputeti Ferat Shala nga PDK, sipas të cilit, këto nene të amendamenteve të propozuara ka gabime substanciale të ligjit, jo sikundër po pretendohet, në gabime teknike nga deputetët e partisë në pushtet.

Murati: Buxheti i vitit 2023 është më i larti ndonjëherë në vend

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

(E plotësuar) Pas adresimit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ka nisur seanca plenare, e cila ka vetëm një pikë të rendit të ditës: Shqyrtimin e dytë të Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e  Republikës së Kosovës për vitin 2023.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, gjatë shqyrtimit në lexim të dytë të Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për vitin 2023 në Kuvend, ka kërkuar nga deputetët që ta mbështesin këtë projektligj. Ai tha se buxheti 2023 është më i larti ndonjëherë në vend, mbi 3.2 miliardë euro.

Murati, shkurtimisht, përmendi punët e kryera në grupin punues përgjatë miratimit të amendamenteve, siç tha ai, për të akomoduar projektet që janë në marrëveshje financiare ndërkombëtare, si, fjala vjen, me Bankën Botërore, apo institucione të tjera, “ngase kur është dorëzuar buxheti në qeveri, në fund të tetorit, organizatat zbatuese kanë qenë optimiste që do të mund të zbatohen deri në fund të vitit fiskal”.

“Nuk do të ketë ndikim në rregullin fiskal e as të hyrave në tërësi, pra është vetëm bartje e financimit i miratuar në bazë të marrëveshjes ndërkombëtare”, tha, mes tjerash, ministri Murati. Ai tha buxheti i hartuar i vitit 2023, plotëson nevojat dhe prioritetet e qeverisë, por edhe nevojat e qytetarëve.

Aliu: Elaborati i shpronësimit në rrugën Prishtinë-Podujevë ka përfunduar

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

(E plotësuar)  Kuvendi  i Kosovës, po vazhdon shqyrtimin e amendamenteve të Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e  Republikës së Kosovës për vitin 2023.

Liburn Aliu, ministër i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, foli për projektin e rrugës Prishtinë Podujevë, sipas të cilit elaborati i shpronësimit ka përfunduar që ka qenë një nga pengesat kryesore në këtë projekt.

"Tani jemi në përgatitjen e tenderimit për gjithë rrugën, në katër llote", tha ai, . Aliu premtoi se gjatë sezon së dimrit të kryhen punët e tenderimit.

Buxheti i ndarë në vitin vijues është 6 milionë euro, mbase mund të jetë pak, por këtë do ta përcaktojë rrjedha e punës se si do të shkojë, tha ministri Aliu.

Opozita: Projektligji mbi ndarjen buxhetore 2023, ka shumë mangësi

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

(E plotësuar) Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mergim Lushtaku kritikoi ndarjen buxhetore në këtë projektligj të propozuar nga ministri Murati.

“Ne, në Komision për Buxhet e Taransfere, kemi shqyrtuar amendamentet dhe propozim amendamentet nga organizatat buxhetore dhe deputetët dhe, fatkeqësisht, asnjë nga kërkesat e organizatave buxhetore, as deputetëve, nuk janë përfillur dhe shihet qartë së qeveria nuk është e interesuar dhe, kësisoj, i lë në mëshirën e fatit”, deklaroi deputeti Lushtaku.

Ai, më tej, përmendi institucionet që janë të varura nga buxheti i shtetit dhe që janë injoruar kërkesat e tyre me një arrogancë nga pushteti.

Mes tyre Lushtaku përmendi edhe RTK-në, institucion që kërkesat e të cilit nuk janë plotësuar.

Ndërsa deputeti nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, foli për projektligjin në fjalë, sipas të cilit ka mangësi të mëdha ligjore.

Ai duke u shprehur në përpjekjet e tij dhe të partisë së tij në mbështetjen e këtij ligji, vërejtjet dhe sugjerimet e tyre në leximin e dytë tha se nuk ka qenë apriori  ta kundërshtojnë ligjin për buxhetin.

“Ne do të kishim bërë një ligj tjetër po të ishim më qeveri, por kërkesat tona ishin për realizimin e premtimeve tuaja, mirëpo ne jemi interesuar  që t’i shmangim disa  të meta në ligj, që janë antikushtetuese,të cilat i kemi dhënë argumentet tona,  që ministri nuk ka dashtë as me mbrojtë e as me argumentua që ky ligj është antikushtues, që ky ligj, që mund të votohet sot, mund të shkojë në Gjykatën Kushtetuese”, tha mes tjerash Hoti.

Tutje ai u shpreh se “nuk mundesh që mjetet nga të hyrat vetanake nga Prishtina , mjetet nga tatimi në pronë që mblidhen në Dardani e Ulpianë, të dedikohen për një rrugë, fjala vjen në Mitrovicë ose diku tjetër, sepse është parim elementar i menaxhimit të financave”.

Veç kësaj deputetit Hoti shtoi se kurrë nuk ka ndodhur që 9 për qind e buxhetit të mbahet si kontigjencë në Ministrinë e Financave dhe të shpërndahen me vendim qeverie. “Kjo nuk ka ndodhur kurrë. Kjo është antiligjore”, deklaroi ai.

Gjithashtu, Grupi Parlamentar i Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar që nga Projektligjit mbi Ndarjet Buxhetore për vitin 2023, të fshihet fjalia e cila parasheh që mjetet vetanake të komunave të cilat mbesin të pa shpenzuar, të barten në Fondin e Kosovës.

Shefi i këtij grupi parlamentar, nga partia opozitare, Arben Gashi, ka thënë se ajo fjali është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për Financat e Pushtetit Lokal.

Grupi Parlamentar i LDK-së, në tekstin e Ligjit, në Nenin 9, paragrafi 6, ka propozuar një amendament për këtë ligj dhe ka paralajmëruar se nëse ky nuk kalon, LDK-ja do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

Pas kësaj që kërkoi Grupi Parlamentar i LDK-së, Kuvendi miratoi, amendamentin e propozuar nga shefi i grupit Arben Gashi. Pro këtij propozimi kanë votuar 95 deputetë, derisa një ka abstenuar.

Propozimi për rritjen e buxhetit për Ministrinë e Mbrojtjes nuk kaloi

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

(E plotësuar) Hisen Berisha, deputetë nga radhët e PDK-së, propozoi që nga Ministria e Financave t’i ndahet një shumë prej 5 milionë e njëqind e pesëdhjetë e tetë mijë euro për Ministrinë e Mbrojtjes, me qëllim të rekrutimit të  612 rekrutëve të rinj  dhe mbajtjes të personelit ekzistues në këtë ministri.

Deputeti Berisha më tej sqaroi shumën e nevojshme buxhetore edhe në vitet vijuese në Ministrinë e Mbrojtjes, derisa, siç tha ai, meqë ende nuk ka hyrë në fuqi ligji për paga të shikohet mundësia të rritet paga deri në 30 për qind, që, siç u shpreh ai, ta ruajmë gatishmërinë operacionale në Forcë.

Propozimi  i deputetit Berisha nuk kaloi, meqë nuk pati mbështetjen e shumicës së deputetëve.

Me  27 vota për dhe 45 kundër deputetët nuk e mbështetën propozimin e deputetit Berisha.

Muja: Projektligji mbi ndarjen buxhetore 2023 të miratohet

(E plotësuar) Në hapje të seancës së radhës, ku si pikë e rendit të ditës është Projektligji për buxhetin e vitit 2023, në fillim të seancës fjalën e mori kryetari i Komisionit për Buxhet e Transfere, Armend Muja, i cili ftoi deputetët që ta votojnë këtë projektligj.

“Komisioni për Buxhet punë dhe Transfere në mbledhjen e mbajtur më 7 dhjetor 2022, ka shqyrtuar projektligjin nr. 08 L 193, mbi ndarjen buxhetore mbi buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023 dhe ka vendosur që t’ua paraqesë Kuvendit këtë rekomandim që ky ligj të miratohet me amendamentet e propozuara nga komisioni funksional”, tha, mes tjerash, deputeti Muja, njëherësh kryetar i Komisionit për Buxhet e Transfere.

Nis seanca, në rend dite Projektligji për buxhetin e vitit 2023

Pas adresimit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ka nisur seanca plenare e cila ka vetëm një pikë të rendit të ditës, shqyrtimin e dytë të Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e  Republikës së Kosovës për vitin 2023.

Buxheti i vitit të ardhshëm është më i larti do të jetë në vlerë 3 miliardë e 212 milionë euro, më i larti deri më tani.

Buxheti që i dedikohet qeverisjes lokale dhe komunave planifikohet të rritet për rreth 100 milionë euro, nga 560 që ishte në vitin 2022 në 660 milionë euro për vitin 2023. Për Komunën e Prishtinës, buxheti i planifikuar për vitin 2023 është mbi 109 milionë euro.

Ndryshe Kuvendi ditë më parë ka miratuar në lexim të parë Projektligjin nr. 08/L-193 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023.


MË SHUME NGA Lajme