Borrell thirrje për heqjen e barrikadave në veri të Kosovës
J.Musliu/RTKlive
Edhe një thirrje tjetër për heqjen e barrikadave në veri të Kosovës, vjen nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
Kryediplomati evropian, Josep Borrell, tha se sot në samitin në Bruksel do t’i informojë liderët e BE-së për tensionet në Kosovë.
Ai deklaroi se po bën përpjekje që të ulen tensionet në këtë pjesë të Kosovës dhe për këtë, ka dërguar edhe emisarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, në Prishtinë e Beograd.
“Do të takoj liderët për situatën dhe do të përpiqem ta qetësoj situatën dhe të kthehem në dialog”, tha Borrell.
“Kjo është mënyra e vetme për të siguruar të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë”.
Ai u shpreh se nga të gjithë në rajon po kërkohet që të qetësohet situata dhe të kthehen në dialog.
“Është rruga e vetme për perspektivën evropiane të Kosovës dhe Serbisë”.
Sipas tij, është absolutisht e nevojshme që këto lloj telashe të ndalen e barrikadat të hiqen.























