Kryeministri Kurti nga Praga paralajmëron aplikime për anëtarësime të tjera
BKT
Foto: RTKlive
Lajme

Kryeministri Kurti nga Praga paralajmëron aplikime për anëtarësime të tjera

Jeton Musliu/RTKlive

(Plotësuar) Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas dorëzimit të aplikacionit të Kosovës për anëtarësim në BE, dokument që ia dorëzoi ministrit për Çështje Europiane të Çekisë, Mikuláš Bek, vendi i të cilit deri me 31 dhjetor mbanë presidencën e radhës së BE-së, u zhvendos në ambientet e Ambasadës së Kosovës në Pragë.

Në një konferencë të veçantë për media, kryeministri Kurti tha se mesatarja për anëtarësim të një vendi në BE është nëntë vjet.

“Ne shpresojmë të kapim këtë mesatare për anëtarësim në BE. Falendëroj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, institucionet e shtetit tonë, akterët politik dhe profesionistët, që kontribuuan të mbërrijmë në këtë ditë historike”, tha kryeministri Kurti.

Ai u shpreh se kjo ditë është e madhe edhe për demokracinë në Evropë, pasi Republika e Kosovës ndan vlerat e përbashkëta me BE-në, sa i përket të gjitha të drejtave të njeriut.

“Dhe këto vlera të përbashkëta janë udhërrëfyes për reformat në vendin tonë”.

Kurti tha se Kosova nuk po kërkon as integrim që do të bëhej në rrugë alternative dhe as privilegje në rrugëtimin e saj drejt BE-së.

“E duam BE-në edhe si vlerë dhe është interes yni  ta ndërtojmë për populln tonë, për vendin tonë”, tha ai. “Për këtë na duhet ndihma e Brukselit, që besoj se nuk do të na mungojë”.

Ai më tej nuk la pa përmendur se në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Pragë,  i pari që ka shkuar për ta  uruar ishte ambasadori i Shqipërisë.

“Gjatë presidencës çeke, jo vetëm që Republika e Kosovës aplikoi për anëtarësim në BE dhe u hap rruga për liberalizimin e vizave, por është kjo presidencë çeke që shënoi edhe kohën kur u çelën negociatat për anëtarësim të Republikës së Shqipërisë”, u shpreh kryeministri Kurti.

I pyetur nga RTK se kjo ditë mund të cilësohet edhe si ditë historike për BE-në, pasi po aplikon për anëtarësim një shtet që nuk njihet nga pesë vende, por që ka përspektivë evropiane, prandaj në këtë situatë, a ka ndonjë sinjal se këto shtete nuk do të pengojnë rrugëtimin e Kosovës, kryeministri Kurti shprehu bindjen se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

“Jemi të bidnur se pesëshja mosnjohëse  nuk do të na pengojë për rrugëtimin tonë. Natyrisht se për anëtarësim na duhen këto vende, por deri atëherë ka kohë”, tha Kurti.

Sipas tij, BE-ja nuk është e njëjtë pas agresiont rus në Ukrainë, dhe të gjithë e kanë të qartë se duhet integrim i përshpejtuar.

“Kjo është thënë edhe në samitin BE-Ballkan Perëndimor në Tiranë, ku u bë thirrje për integrim të përshpejtuar”.

Kryeministri shprehu bindjen se edhe  pesëshja do të ndihmojë në rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së dhe do të ndryshojnë qëndrim.

“Nuk  mund të kthehemi prapa, por duhet ecur përpara, e përpara duhet të na presin edhe këto pesë shtete mosnjohëse. Duke parë edhe zhvillimet e fundit në Kosovë, në dy vitet e fundit si me  rritje ekonomike dhe demokracinë, nuk pres që ato të jenë skeptike”.

Në këtë konferencë për media, kryeministri Kurti paralajmëroi se vitin që vjen, Kosova do të aplikojë për anëtarësim edhe në organizatat tjera ndërkombëtare.

“Tash jemi në dhjetor dhe nuk do të mund të kemi aplikime të reja këtë vit, por vitin tjetër do të përgatitemi sa më shumë që të integrohemi, e synim të veçantë kemi programin e ‘Partneritetit për Paqe’”, tha Kurti, duke rikujtuar se në këtë program të NATO-s, paradoksalisht pjesë e tij është Serbia dhe Bjellorusia.

“Në atë program është fqinji ynë verior e që dihet qëndrimi që ka ndaj NATO-s, apo Bjellorusia, por  nuk është Kosova. Ne kemi dëshmuar përgatitjen tonë për kapacitetet ushtarake”, tha kreu i Qeverisë së Kosovës.

Ai rikujtoi se në vitin 2021, Kosova  mori pjesë në “Defender Europe 2022” e vitin tjetër në “Defender Europe 2023”.

“Jemi duke iu afruar 2% të buxhetit të shtetit për mbrojtje. ‘Partneriteti për Paqe’ është synimi ynë”, tha ai.

Ai u shpreh se ka shumë punë që bëhet, por nuk bëhet publike nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme e Diasporës dhe Ministrisë së Mbrojtjes, sidomos me shtetet që kanë të drejten e vendimarrjes për anëtarësime.

“Shpersojmë se do ta bëjmë hapin e radhës edhe sa i përket NATO-s sepse aty ndoshta e kemi pakëz më të lehtë sepse kemi katër shtete mosnjohëse, krahasur me BE-në, që janë pesë”.

Sa i përket deklarimeve të Serbisë  për reagime të ndryshme në raport me hapat që po ndërmerr Kosova, kryeministri Kurti tha se ai nuk mund të flasë në emër të Serbisë.

“Ashtu si edhe ata nuk mund të flasin në emër të Kosovës. Jemi shtete fqinje që duhet të normalizojmë marrëdhëniet  e kjo duhet të bëhet përmes njohjes reciproke”.

Kurti tha se Kosova do që të ecë përpara drejt BE-së, ndërkohë që Beogradi insiston kthim në të kaluarën.

“Herë duan të kthehen në vitin 2007 para shpalljes së pavarësisë, e herë në vitin 1999 para çlirimit. Por kthimi në të kaluarën është i pamundur e ne duhet të ecim përpara. Duke u përpjekur ta kthejnë Kosovën në të kaluarën, vetë Serbia po mbetët në të kaluarën”.

Kurti dorëzon zyrtarisht në Pragë, aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dorëzoi sot në Pragë zyrtarisht aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri për Çështje Europiane i Çekisë, Mikuláš Bek, dolën në një konferencë të përbashkët për media.

Kjo pasi në Presidencën çeke të BE-së u dorëzua aplikimi për anëtarësim i Kosovës për në BE.

Ministri Bek tha se është kënaqësi për të që ta pranojë aplikimin e Kosovës, ndërsa tha se çështja e integrimit ëshhtë prioritet për ta.

“Është nderi im që si kryetar i Këshillit të BE-së të pranoj aplikacionin e  Republikës së Kosovës, pasi siç e dini, është prioritet i politikës së jashtme të BE-së dhe Çekisë, vëmendja në Ballkanin Perëndimor”, tha ai.

Ministri çek deklaroi se i mirëpret përpjekjet e Kosovës dhe vlerëson arritjet e bëra nga Republika e Kosovës.

“Më vjen mirë që po plotësojmë një nga prioritetet e presidencës sonë sepse i kemi dhënë vëmendje të madhe Ballkanit Perëndimor”, tha ai.

Sipas ministrit çek, gjatë presidencës së vendit të tij me BE-në, është shtyrë përpara edhe  liberalizimi i vizave.

“Kemi arritur edhe konsensusin me Parlamentin Evropian që është satisfaksion për ne”.

Ai tha se kjo është edhe një nga çështjet që është arritur në kuadër të presidencës çeke.

Në këtë konferencë për media, kryeministri Albin Kurti tha se është ditë historike për popullin e Kosovës dhe demokracinë në Evropë.

Spanja, Qipro, Greqia, Rumania dhe Sllovakia, janë pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që s’e njohin pavarësinë e Kosovës.

Por, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, nuk beson që këto vende do ta pengojnë vendin tonë në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

“Kemi ardhur në Pragë për të riafirmuar zotimin e pandryshueshëm të Kosovës ndaj vlerave themelore të BE-së, lirisë, demokracisë duke dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në BE. Është një ditë historike për popullin e Kosovës dhe demokracinë në Evropë”, ka thënë Kurti.

Kryeministri ka shtuar se Kosova ndanë të njëjtat vlera me Bashkimin Evropian.

“Siç e dimë kur ne e kemi firmosur marrëveshjen e Stabilizim – Asociimit, pesë shtetet që nuk e njohën shtetin e Kosovën ishin dakord. Nuk besoj që pakica e shteteve anëtare që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës do të jenë kundër nesh që të jemi në familjen evropiane”, tha Kurti.

“Letra që sot kam sjellë bart shpresat dhe ëndrrat e qytetarëve tanë që kanë punuar me shumë zell për të arritur këtë ditë. Flet për aspiratat tona për tiu bashkuar BE-së me të cilin ndajmë vlerat e njëjta”, tha Kurti.

Ai shtoi se rruga jonë përpara bazohet mbi meritat tona vetanake.

Kryeministri shtoi se Bashkimi Evropian është destinacion që synojmë dhe fati që përqafojmë.

Këtë aplikim, ai ia ka dorëzuar Presidencës Çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian

 


MË SHUME NGA Lajme