Kurti pritet nga Lipavsky, diskutim për bashkëpunim më të fortë Kosovë-Çeki
J.Musliu/RTKlive
Pas dorëzimit të aplikacionit të Kosovës për anëtarësim në BE, kyeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili ndodhet në Pragë të Çekisë, u prit në një takim bilateral nga ministri i Punëve të Jashtme të Çekisë, Jan Lipavsky.
Siç njofton Zyra për Media e Kryeministrisë së Kosovës, në takim u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe dhe për bashkëpunimin e afërt ndërmjet dy vendeve, veçanërisht gjatë Presidencës çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian.
Kryeministri Kurti citohet ta ketë falënderuar Republikën e Çekisë dhe ministrin Lipavský për mbështetjen e vazhdueshme dhe të zëshme që i kanë dhënë Kosovës në synimet e saj për integrim evropian dhe euro-atlantik.
Ai veçoi rolin e rëndësishëm dhe përkushtimin e Presidencës çeke të Këshillit të BE-së në trajtimin me prioritet të çështjes së liberalizimit të vizave.
Kjo pasi dje, Këshilli i BE-së dhe Parlamenti Evropian u dakorduan për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës më së largu me 1 janar 2024.
Në takim gjithashtu u fol edhe për bashkëpunimin rajonal, marrëveshjet që u nënshkruan në kuadër të Procesit të Berlinit dhe procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
























