Opozita kërkon më shumë kohë për shqyrtimin e Projektligjit për Pagat
N.Mekolli /RTKlive
Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, sot mbajti mbledhjen e radhës. Në këtë mbledhje u diskutua edhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Zyrtarët Publik dhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Pagat në Sektorin Publik.
Ndryshe dy ligjet kanë kaluar në Kuvendin e Kosovës, në lexim të parë, ndërsa pritet që së shpejti të jenë në Kuvendin e Kosovës, për votim në lexim të dytë.
Pas miratimit të rendit të ditës, Valon Ramadani, kryetar i këtij Komisioni, nga radhët e Lëvizja Vetëvendosje, foli për rëndësinë e këtyre projektligjeve dhe kërkoi nga anëtarët e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal që të miratojnë sa më shpejtë këto projektligje, pasi si tha ai Projektligjit për Zyrtarët Publik dhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Pagat në Sektorin Publik, pritet të diskutohet në seancën ardhshme të Kuvendit të Kosovës.
“Pra seanca e Kuvendit është të enjten e deri atëherë ne duhet ti kryejmë të gjitha këto komente, analiza që janë bërë deri më tani, nga komisione e ekspertë dhe ti shtyjmë përpara këto Ligje”, tha Ramadani.
Kurse Isak Shabani, anëtar i këtij Komisioni nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, ai tha se ky shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Zyrtarët Publik është vonuar pa kurrfarë arsyeje, kurse tani kërkohet që të përshpejtohet kjo procedurë, por kjo nuk mundet të behet në këtë forme, sepse duhet edhe mendimi i ekspertëve për këtë dhe kjo kërkon kohë.
“Është vonuar aq shumë të sillet në Kuvend e tani nga ne po kërkohet të shqyrtohet me nxitim, Ky nxitim ka për qëllim miratimin me nguti, ashtu si kanë ardhur në shqyrtim, e pastaj me i dërgua në Kushtetuese në mënyrë që të shtyhet miratimi i tyre. Nuk po shoh interesim për miratimin e këtyre ligjeve”, tha Shabani dhe kërkoi kohë shtesë për shqyrtimin e këtyre Projektligjeve.
Pas kësaj, deputeti Ramadani, tha se nuk ka afat shtesë për shqyrtimin e këtyre Projektligje.
Kurse, Besnik Tahiri, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se Projektligjit për Zyrtarët Publik dhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Pagat në Sektorin Publik janë projekte bazë për funksionimin e shtetit.
Sipas tij, është keq që afati për shqyrtim është shumë i shkurtër por kjo po bëhet me qëllim të miratimit sa më të shpejte, me 1 shkurt të vitit të ardhëm.
Duke e kundërshtuar Projektligjin për Zyrtarët Publikë, deputetët e opozitës kanë thënë se ky Projektligj është kundërshtuar nga Bashkimi Evropian. Hykmete Bajrami, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka pasur një përplasje me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal.
Bajrami, ka thënë se ky afat për miratimin e këtyre Projektligjeve sipas propozimit të tanishë, thuajse është i pamundshëm, sepse është kundërshtuar edhe nga Bashkimi Evropian.
Në komentet e dërguara nga Bashkimi Evropian, thuhet se projektligji duhet të përafrohet më mirë me parimet e një administrate publike moderne në mënyre që të je në gjendje të përmbushe angazhimin për një administratë publike të bazuar në merite, të depolitizuar dhe profesionale.























