Bislimi: Ka pasur plan ruso-serb, që dje të digjej pika kufitare e Jarinjës
Afet Bela/ RTKlive
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, tha se ka pasur plan ruso-serb, që dje të digjej pika kufitare e Jarinjës.
Ai ka shkruar në “Facebook”, se intensiteti i sulmeve hibride të Serbisë dhe Rusisë ndaj Republikës së Kosovës është rritur ndjeshëm.
“Grafiku i punuar nga institucionet e sigurisë, që pasqyron vetëm krizën e djeshme në Jarinjë, tregon qartë edhe aktorët e përfshirë dhe autorin e vërtetë, Putinin. Ky plan u parandalua nga institucionet e Republikës së Kosovës (veçmas mekanizmat e sigurisë), në bashkëpunim me partnerët perëndimorë (veçmas amerikanët)”, tha ai.
Sipas tij pavarësisht se policia e Serbisë, dje u shfaq duke i ndaluar huliganët që mos ta djegin Jarinjën, ky quhet vetëm një akt tërheqjeje nga ana serbe, duke e parë se një gjë e tillë do t’iu dështonte. “Siç e ka Serbia aleat Rusinë e Kinën, ne e kemi aleat Perëndimin dhe SHBA-në. Ata përfaqësojnë agresionin, ne përfaqësojmë lirinë”, tha ai.























