Nëntë barrikada bllokojnë qarkullimin në veri të vendit|Foto-Video
BKT
Foto-Video: Elmina Osmani/RTK
Lajme

Nëntë barrikada bllokojnë qarkullimin në veri të vendit|Foto-Video

E.Osmani & J.Musliu/RTK

Edhe më tej rrugët magjistrale në veri të Republikës, që lidhin Kosovën me dy pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak, mbesin të bllokuara nga serbët lokal.

Në fshatin Zubq të komunës së Zubin Potokut, rrugë e cila të çon drejt pikës kufitare në Bërnjak, vazhdon të ketë barrikadë.

Në mes të rrugës janë vendosur  kamionë të mbushur me zhavorr duke e bërë të pamundur qarkullimin, jo vetëm për qytetarët e tjerë të vendit, por edhe për vetë serbët.

Në afëri të barrikadës janë të vendosura pjesëtarë të EULEX-it që po e monitorojnë situatën. Ndërkohë, gjatë rrugës shihen edhe automjete të trupave të KFOR-it.

Derisa ekipi i RTK-së ka qëndruar në këtë zonë, disa serbë lokalë kanë sharë dhe ofenduar ekipin e RTK-së, duke hedhur edhe mjete piroteknike.

Sidoqoftë, ekipi i RTK-së qëndroi edhe afër barrikadës tjetër, në magjistralen Mitrovicë-Leposaviq, në fshatin Rudar.

Edhe këtu afër barrikadës janë të vendosura forca të KFOR-it, të cilat po e monitorojnë situatën. Në përgjithësi, situata të hënën ishte e qetë. E Policia e Kosovës deklaroi sot se është e angazhuar në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike

Policia rikujtoi sot me anë të një deklarate se forcimi i rendit dhe sigurisë publike, parandalimi i akteve kriminale si dhe ndërmarrja e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në gjithë vendin, përfshirë zhvillimet në veri të vendit, mbesin ndër prioritetet e saj.

“Që nga vendosja e nëntë (9) barrikadave nga persona/grupe kriminale, situata e sigurisë në veri të vendit vazhdon të jetë e njëjtë, ku si pasojë e këtyre barrikadave dy pikat kufitare “Jarinje” dhe “Bërnjak” ende mbesin të mbyllura për qarkullim”, deklaron Polcia e Kosovës.

Referuar situatës së krijuar, bllokimit të rrugëve, e rasteve/sulmeve të ndodhura nga grupet kriminale, policia deklaron se janë krijuar rrethana të reja të punës e po ashtu, ato kanë ndikuar edhe në jetën e qytetarëve të asaj zone, të cilët nuk po mund të kenë lëvizje të lirë si dhe nuk po kanë qasjen e lehtë në shërbimet e tyre të nevojshme.

Policia deklaron se edhe përkundër këtyre rrethanave të krijuara në veri të vendit, po angazhohet me  të gjitha format që t’iu dalë në ndihmë kërkesave dhe nevojave të qytetarëve pa dallime, si dhe të punojë në parandalimin e akteve kriminale, të cilat po organizohen nga persona të përfshirë në grupe kriminale të organizuara nga brenda dhe jashtë Kosovës.

 


MË SHUME NGA Lajme