Veriu i bllokuar nga barrikadat, tash e 11 ditë/Video
BKT
Lajme

Veriu i bllokuar nga barrikadat, tash e 11 ditë/Video

Visar Shatrolli / RTK

Edhe sot serbët janë jashtë institucioneve në bashkërendim të plotë me Vuçiqin. Madje janë bërë 11 ditë prejse veriu i Kosovës mbetet i bllokuar nga 8 barrikada të vendosura nga grupet kriminale serbe. Shpërthime të kohëpaskohshme janë dëgjuar përgjatë rrugëve të veriut. Një shpërthim ndodhi sot edhe në prezencën e ekipit të RTK-së.

Një shpërthim tjetër i fuqishëm në orët e mesditës ka ndodhur në lagjen “Kroi i Vitakut” në veri të Mitrovicës.

Ky shpërthim ndodhi derisa ekipi i RTK-së po qëndronte në këtë lagje për të raportuar mbi situatën e sigurisë atje.

I shpejtë ishte reagimi i njësisë speciale të Kosovës, e cila filloi menjëherë kërkimin se nga cila shtëpi u hodh mjeti shpërthyes e kush e hodhi atë.

Për qytetarët shqiptarë e serbë që banojnë këtu po kujdeset policia e Kosovës 24 orë.

Ata po vazhdojnë të jenë pothuajse në çdo cep të veriut. Madje edhe kujdesi ndaj tyre nga banorët shqiptarë nuk mungon.

Banorët e Kroit të Vitaku shërbejnë policët me gjëra të ndryshme ushqimore.

"Pa marr parasysh tash pe shohim vetën pak ma mirë ma të sigurt se kemi qenë pak të neglizhum sepse nuk e kemi pasur afërsinë e institucioneve tonë më herët tash po e shohim se ka ecur përpara", Nysret Rama banor I lagjes , Kroi I Vitakut.

Situata në veri po monitorohet edhe nga ajri.

Për më shumë se 15 minuta një helikopter i KFOR-it ka fluturuar mbi këtë pjesë të vendit. Ndërkohë që në tokë përveç lagjes së boshnjakëve, policë specialë të Kosovës shihen përgjatë gjithë rrugës që shpie në fshatin Suhadoll e anasjelltas.

Por, rruga që të çon në drejtim të pikëkalimit kufitar në Bërnjak vazhdon të jetë e mbyllur tash e 11 ditë.

Si rrjedhojë e kësaj, qarkullimi i mallrave dhe qytetarëve është i pamundur.

Madje këta të fundit në fshatin Çabër të Zubin Potokut duhet t'i anashkalojnë barrikadat për të lëvizur.

Këtu të martën dukej qetësi absolute. Mbase të vetmit që thyenin këtë heshtje ishin kjo tufë delesh e ky gjel.

Nuk vëreheshin pjesëtar të KFOR-it, e as të misionit të EULEX-it. Në anën tjetër në rrugën që të dërgon në kufirin në Jarinjë, vëreheshin pjesëtarë italianë të KFOR-it.

9 barrikada të tilla siç është kjo në fshatin Rudar të Zvecanit të vendosura nga grupet kriminale serbe vazhdojnë të qëndrojnë tash e 11 ditë. këto barrikada tashmë kanë bllokuar qarkullimin e qytetarëve dhe mallrave në të dyja pikë kalimet kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë .

Krejt ky bllokim i rrugëve e tensionim i situatës ka ardhur pas arrestimit të policit serb Dejan Pantiq, i cili po mbahet në paraburgim si i dyshuar për sulm terrorist mbi zyrat e Kuvendeve Komunale Zgjedhore në veri.

11 ditë prejse veriu i Kosovës mbetet i bllokuar nga 8 barrikada të vendosura nga grupet kriminale


MË SHUME NGA Lajme