Avokati i Popullit ka pranuar këtë vit mbi 1500 ankesa
M.Sh/RTKlive.com
Gjatë këtij viti, Institucioni i Avokatit të Popullit ka pranuar me shumë se 1 mijë e 500 ankesa nga qytetarët e Kosovës, ndërsa për 645 raste janë hapur hetime. Kështu ka deklaruar ombudspersoni Naim Qelaj, në konferencën e fundvitit.
Ai tha se gjendja e të drejtave të njeriut përgjatë viteve ka shënuar progres, por se nuk ka ecur sipas standardeve ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë e njeriut.
Avokati i Popullit theksoi se ankesat më të shumta janë për shkak të zvarritjes së procedurave gjyqësore, kjo si cenim i të drejtës për gjykim të paanshëm dhe të drejtë në kohë të arsyeshme.
“Qytetarët e komuniteteve jo shumicë vazhdojnë t’i besojnë institucionit të Avokatit të Popullit. Këtë vit kemi pranuar 77 ankesa nga qytetarët e komunitetit serb, 27 nga komuniteti boshnjak, 13 nga komuniteti ashkali, 10 nga komuniteti turk, 10 nga komuniteti rom dhe nga dy ankesa nga komuniteti goran e egjiptian”, deklaroi ai.
Avokati i Popullit po ashtu përmendi rritjen e çmimeve dhe ballafaqimin e ekonomive familjare me inflacionin. Ndërsa në fund përmendni edhe vrasjet e grave, dhunën në familje dhe rastet e dhunës ndaj të miturave .























