Sveçla: Ne kemi kapacitetet e nevojshme për t’i larguar barrikadat
Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se institucionet e Kosovës i kanë të gjitha kapacitetet që t’i largojnë barrikadat e vendosura në veri të vendit, tash e 13 ditë.
Ai ka thënë se mënyra më e mirë është që largimi i tyre të bëhet nga vetë ata që i kanë vendosur, raporton RTKlive.
Sveçla, ka thënë se po presin që sa më parë të ketë veprime nga KFOR-i për heqjen e tyre. “Mënyra më e mirë është largimi i tyre nga ata që e kanë vendosur, por më duhet të theksoj që ne kemi të gjitha kapacitetet e nevojshme për largimin e këtyre barrikadave. Për shkak të situatës jemi në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtar dhe presim sa më parë të veprohet nga KFOR-i. U bënë 13 ditë dhe situata vazhdon të jetë e njëjtë, apo mund të themi se është rënduar dhe po presim që sa më shpejtë ato të largohen, e nëse kjo nuk ndodhë patjetër se ne kemi kapacitete të nevojshme për ta bërë vetë”, vazhdoi ai.
Për shkak të këtyre barrikadave të vendosura tash e gati dy javë, Sveçla tha se ish-zyrtari policor Pantiq i akuzuar për kryerjen e veprave terroriste po vazhdon të mbahet në stacionin policor në afërsi të kufirit në Jarinjë, për çka tha se për transferimin e tij kanë adresuar kërkesë tek partnerët ndërkombëtarë.
“Mu për shkak të barrikadave e bllokimit të rrugëve dhe lirisë së lëvizjes, ai po mbahet në stacionin policor në afërsi të kufirit në Jarinjë. Është diskutuar shumë për mbajtjen dhe gjendjen shëndetësore të tashmë të ndaluarin Dejan Pantiq. Gjendja e tij shëndetësore është e mirë dhe ka trajtimin e duhur, por pa dyshim që ai do të duhej të ishte në qendrën përkatëse për mbajtje e jo në stacion policor. Lidhur me këtë rast, ne kemi adresuar kërkesën tonë tek partnerët tanë për transferimin e tij në objektet adekuate që të vazhdojë paraburgimin dhe procedurat e mëtutjeshme. Prandaj, për ne mbetet prioritet transferimi i tij përmes bashkëpunimit me partnerët tanë. Largimi i barrikadave e mundëson këtë transferim nga Policia e Kosovës, lehtë dhe sigurt”, tha ai.
Sveçla tha se barrikadat në veri të vendit janë praktikë e njohur për të gjithë e ato po organizohen nga grupe të ndryshme kriminale të armatosura e po mbahen nga qytetarët që po kërcënohen nga strukturat kriminale të orkestruara nga Beogradi.
“U bëj thirrje gjithë qytetarëve që të bashkëpunojnë me institucionet e të mos bien pre e presioneve dhe shantazheve të Beogradit. Barrikadat tashmë kanë humbur arsyen me të cilën ata i patën ngritur e që asnjëherë nuk ka qëndruar. I vetmi qëllim i tyre është bllokimi i veprimeve ligjore të Republikës së Kosovës”, tha ai.
Tutje, Sveçla tha se rreth barrikadave çdo ditë po dalin kërkesa të reja të shtyra nga Serbia për arritjen e qëllimeve të tyre politike.
Sveçla: Zyrtarët policorë nuk u dorëzuan, as nuk patën nevojë për tretman mjekësor
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i ka quajtur spekulime lajmet se zyrtarëve policorë që kishin qëndruar për ditë të tëra në veri iu kishte keqësuar gjendja e tyre shëndetësore.
“Gjendja e zyrtarëve policor në Jarinje dhe Leposaviq është spekuluar si e rënduar e deri në refuzim të ushqimit e kjo është jo vetëm se e pavërtetë, por edhe e papranueshme edhe e rrezikshme. Zyrtarët policorë në Jarinjë që kanë pasur sëmundje kronike dhe shqetësime të tjera shëndetësore janë tërhequr falë bashkëpunimit me KFOR-in. Nuk kanë pasur nevojë për tretman mjekësor, e të tjerët vazhdojnë të mbeten aty në krye të detyrës”, tha ai.
Ministri tha se Policia e Kosovës do të vazhdojë të zbatojë ligjin, përkundër sfidave me të cilat përballen gjatë kryerjes së detyrave të tyre në veri të vendit, andaj tha ai, nuk mund të mohohet ky fakt e të flitet për çfarëdo lodhje, dorëzim apo keqësim të gjendjes së tyre.
Sveçla, tha se përveç situatës në terren, Serbia po përdorë propagandë masive në raste të caktuara të mbështetura nga grupe e individë brenda Kosovës.
“Kjo fushatë dezinformuese po përdoret si mjet për të arsyetuar pretendimet territoriale të Serbisë, barrikadat, dhe për të frikësuar qytetarët tanë serb. Një e pavërtetë që po përdoret në vazhdimësi është se kinse policia ka lista mbi të cilat po arreston ish- policët. Policia e Kosovës nuk ka asnjë listë, as për përndjekje e aq më pak për vrasje të qytetarëve serb. Kjo është logjika që Serbia ka ushqyer historikisht”, tha ai.
Sveçla: Një 14 vjeçar nga Kroi i Vitakut u sulmua, pati nevojë për tretman mjekësor
Ministri Sveçla në konferencën për media ka treguar se sot rreth orës 14: 00 nga grupet kriminale është sulmuar një 14 vjeçar nga Kroi i Vitakut për të cilin tha se i është dashur edhe tretmani mjekësor.
“Sapo më njoftuan se rreth orës 14:00, një 14 vjeçar nga Kroi i Vitakut është sulmuar nga grupet kriminale duke shkuar në lagjen ku banon. Fëmija ka lëndime dhe është dërguar për tretman mjekësor. Policia po angazhohet maksimalisht në zbardhjen e rastit. Kam porosi për gjithë ata krimine, ne do të shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet e policisë që ata të identifikohen e sa më parë të sillen para drejtësisë", porositi ai.
Para drejtësisë, Sveçla tha se herët a vonë do të sillet edhe Milan Radoiçiq dhe do të ballafaqohet me veprat që ngarkohet.
“Ne jemi duke hetuar gjitha informacionet që marrim. Policia e Kosovës bashkë me institucionet e sigurisë janë shumë efikase në mbledhjen e informacioneve dhe përgatitjen e operacioneve të duhura. Në momentin që këto informacione të konfirmohen, ne do të kujdesemi që secili kriminel përfshirë edhe Milan Radoiçiq, të sillen para drejtësisë, pa asnjë hezitim e as kompromis. Ai është subjekt i përndjekjes nga institucionet e sigurisë së Republikës, dhe herët a vonë do të bie në duar të policisë që do ta përcjellin për tu ballafaquar me drejtësinë për të gjitha veprat që ngarkohet”, tha ai.
Sveçla, ka siguruar qytetarët se janë maksimalisht të angazhuar të ofrojnë siguri, pavarësisht sfidave në atë pjesë.
Tha se Serbia e Rakiq po shfrytëzojnë grupet kriminale serbe, që herë me vullnet e shpesh me kërcënime, po i detyrojnë qytetarët e Kosovës të etnisë serbe që të vendosen e të jenë pjesë e barrikadave.
“Kemi të bëjmë me barrikada qoftë kamion, buldozer apo autobus. Kemi të bëjmë me persona të armatosur me armë të gjata që po i ruajnë ato barrikada, por nuk bëhet fjalë për rezistencë qytetare apo popullore, siç ata pretendojnë ta portretizojnë”.
Sveçla, ka thënë se edhe pritjes i vjen fundi. “Policia ka vullnetin, guximin, planet operacionale e gjithë logjistikën e nevojshme që këtë ta realizojë vetë, por për hir të një stabiliteti më të madh, ne po presim që kjo të bëhet qoftë nga ata që i kanë vendosur, qoftë nga KFOR-i, por po them që edhe pritja e ka fundin e saj”, tha ai.























