Aksident me fatalitet në Pejë, humb jetën një person, lëndohen tre të tjerë
E.Hoti/RTKlive
Një person ka vdekur dhe tre të tjerë janë lënduar, të hënën, në një aksident trafiku në rrugën Pejë–Rozhajë, në fshatin Novosellë.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, tha për RTKlive se për aksidentin policia është njoftuar në orën 07:46.
“Në orën 07.46 në fshatin Novosellë të Pejës, policia është njoftuar për një aksident trafiku, e ku të përfshira kanë qenë dy vetura. Tre persona janë dërguar për trajtim në Qendrën Emergjente në Prishtinë, ndërsa një person ka ndërruar jetë në vendngjarje, vdekjen e të cilit e ka konstatuar mjeku kujdestar. Në vendin e ngjarjes krahas hetuesve të njësisë së aksidenteve kanë dalë edhe inspektorët e IPK-së, pasi në aksident ka qenë i përfshirë edhe një zyrtar policor”, ka thënë Gashi.
Ai ka bërë të ditur se policia po i kryen hetimet rreth këtij aksidenti me fatalitet.























