Barrikada në Zupç nuk është larguar ende
B. H. / RTKlive
(E plotësuar) Përderisa barrikadat në fshatin Rudarë dhe në Lagjen e Boshnjakëve janë larguar, ajo në Zupç vazhdon të qëndrojë ende.
Gazetarja e RTK-së, Elmina Osmani e ka vizituar edhe këtë aksin rrugor që shpie në pikën kufitare në Bërnjak dhe raporton se aty barrikada nuk është larguar ende. Po ashtu, ajo ka bërë të ditur se nuk ka vërejtur as lëvizje të KFOR-it e as EULEX-it në këtë pjesë.
Largohen barrikadat në Rudarë dhe Lagjen e Boshnjakëve |Video
(E plotësuar) Pas 20 ditësh është liruar për qarkullim rruga në fshatin Rudarë të Zveçanit.
Gazetarja e RTK-së, Elmina Osmani, ka raportuar nga vendi i ngjarjes se tashmë të gjitha barrikadat në këtë fshat janë larguar dhe ka rifilluar qarkullimi i lëvizjes së lirë në këtë aks rrugor. Ndërkaq, ajo ka bërë të ditur se te vendi i quajtur “Shkëmbi i Dudës” edhe më tutje qëndron rruga e bllokuar, pasi aty ndodhen kampionët e djegur. Po ashtu edhe në Lagjen e Boshnjakëve janë tërhequr barrikadat. Nga 4 kamionë sa ishin vendosur, ka mbetur vetëm edhe një, e i cili sipas informacioneve nuk ka mundur të ndizet.
Nis largimi i barrikadave në veri, Borell përgëzon dhe kërkon dialog
V.Shatrolli & J.Musliu/RTKlive
(E plotësuar) Pas 20 ditësh, ka filluar largimi i barrikadave në fshatin Rudare të Zveçanit.
Kamionët e vendosur nga serbët lokalë e që kishin penguar lëvizjen e lirë në këtë aks rrugor, kanë nisur të largohen nga vetë ata që i kanë vendosur.
Barrikadat u vendosën 20 ditë pas arrestimit të ish-zyrtarit policor, Dejan Pantiq, i cili dshohet për kryerjen e veprave të terrorizimit, duke demoluar zyrat e Komisonit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut.
Këtij të fundit, me kërkesë të prokurorit, gjykata ia ndryshoi masën e paraburgimit, duke e lënë në arrest shtëpiak.
Kjo ka bërë që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, t’u kërkojë serbëve të veriut që t’i largojnë barrikadatat.
Në anën tjetër, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell deklaroi se diplomacia mbizotëroi në uljen e tensioneve në veri të Kosovës.
“Dhuna nuk mund të jetë kurrë një zgjidhje”, shkroi ai në rrjetet sociale.
“Mirëpres lidershipin e përgjegjshëm të Presidentit Vuçiq dhe Kryeministrit Kurti”, shkroi Borrell. Ai shtoi se kjo është një punë e madhe ekipore e BE-së, SHBA-së dhe NATO-KFOR-it.
“Faleminderit të gjithë të përfshirëve! Tani kemi nevojë për përparim urgjent në dialog”.
Kamionët e barrikadave në `Lagjen e Boshnjakëve`, nisin të zhvendosen|Video
Në rrugën alternative në "Lagjen e Boshnjakëve" ka qenë i vendosur një kamion i tonazhit më të vogël, si pjesë e barrikadës.
Por, ky kamion është tërhequr nga aty, duke bërë që kjo rrugë të lirohet për qarkullim.
Megjithatë, ky kamion i larguar nuk e ka penguar edhe aq shumë lëvizjen e qytetarëve.
Ndërkohë, barrikada me kamionë të tonazhit të rëndë, vazhdojnë të qëndrojnë në rrugën kryesore në këtë lagje. Kjo rrugë lidh veriun dhe jugun në 'Lagjen e Boshnjakëve'.
Policia heton djegien dy kamionëve te ' Shkëmbi i Dudës' |Foto-Video
(Plotësuar) Policia e Kosovë ka lëshuar një njoftim zyrtar në lidhje me rastin e djegies së dy kamionëve në vendin e quajur “Shkëmbi i Dudës” në veriun e Mitrovicës.
Policia deklaron se bazuar në informacionet zyrtare, në mëngjesin e hershëm të së enjtes, është raportuar se në lokacionin e quajtur "Shkëmbi i Dudës" në Mitrovicën e veriut, janë djegur dy mjete të rënda (kamionë), të cilët kanë qenë të vendosur në barrikadë.
“Përveç dëmeve materiale nuk raportohet për lëndime”, deklaron policia. “Rasti është duke u hetuar”.



Digjen dy barrikada te “Shkëmbi i Dudës”
Barrikadat e vendosura tek vendi i quajtur “Shkëmbi i Dudës” janë djegur.
Kamionët e vendosur si barrikadë te vendi i njohur si 'Shkëmbi i Dudës' ditë më parë , janë përshirë nga zjarri, transmeton RTKlive.
Kamionët ishin vendosur në këtë vend më 27 dhjetor, kur grupe të serbëve vendosën barrikada të reja në rrugët e veriut.
Djegia ndodh pas 20 ditësh bllokimi, kur pritet që të largohen barrikadat nga rrugët e katër komunave veriore Mitrovicë e veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Lajmi për largimin e barrikadave u bë i ditur mbrëmjen e 28 dhjetorit, pasi presidenti i Serbisë, takoi përfaqësuesit e serbëve të Kosovës.
Numri i barrikadave tanimë ka shkuar në 13-të.
Vendosja e barrikadave ndodhi pas arrestimit të ish-policit Dejan Pantiq, i cili dyshohet se ka sulmuar Zyrën e Komisionit Komunal Zgjedhor në veriun e Mitrovicës.
Largimi i barrikadave ishte paralajmëruar të fillojë sot.
Për largimin e barrikadave ka folur mbrëmë edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili është shprehur optimist se barrikadat e vendosura në veri të Kosovës do të largohen të enjten.























