Krasniqi: Vit i dështimit ekonomik dhe varfërimit
BKT
Lajme

Krasniqi: Vit i dështimit ekonomik dhe varfërimit

Naser Mekolli/RTKlive

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi konferencën përmbyllëse për media, ka thënë se viti 2022 për Kosovën ka qenë vit i dështimit në energji, ekonomi, arsim, diplomaci dhe shëndetësi.

Kryetari Krasniqi tha se viti që po e lëmë pas mund të përshkruhet me tre karakteristika: “Vit i stagnimit ekonomik përbrenda dhe inflacionit rekord; Vit i pasigurisë sociale për qytetarë dhe i ikjes së të rinjve; Një vit i dështuar politik për shtetin dhe izolimit nga jashtë”.

Sipas Krasniqit kjo gjendje është rezultat i keqeverisjes së kryeministrit Kurti dhe kabinetit të tij qeverisës, të cilët veçse i kanë thelluar krizat duke e tërhequr krejt Kosovën në një gjendje depresioni kolektiv e degradimi shtetëror.

 “Zhvillimet e fundit, e dëshmojnë më mirë se çdo gjë tjetër, që Kosova është duke kaluar një prej momenteve më të brishta që prej se është shpallur shtet sovran, e pa asnjë dyshim, një moment të brishtë dhe të paprecedentë pothuajse që 23 vite pas çlirimit. Nuk është as e lehtë dhe as dëshirë e jona, që vitin 2022 të mos mund ta mbajmë mend për gjëra të mira, por, fatkeqësisht, kjo është “Kronikë e një dështimi të paralajmëruar” nga unë dhe PDK qysh me 22 mars të vitit 2021, kur ishte emëruar Qeveria Kurti II”, tha Krasniqi.

Ai rikujtoi se ky vit pati nisur në një atmosferë të paralajmëruar të krizës energjetike nga opozita, zgjidhjen e së cilës Qeveria e ka gjetur duke e shtrenjtuar energjinë elektrike në kurriz të qytetarëve.

Kreu i PDK-së theksoi se ekonomia që u trumbetua se do të jetë e lirë dhe e drejtë, gjatë vitit 2022 ka stagnuar dhe nuk është zhvilluar as si e drejtë, as si e lirë.

“Sot, kur kostoja e jetesës në Kosovë është më e larta ndonjëherë, si pasojë e ngritjes së të gjitha çmimeve të produkteve esenciale, më së paku që kanë pasur nevojë qytetarët ka qenë keqqeverisja dhe vendimet e panumërta në dëm të mirëqenies së tyre nga kjo Qeveri”, tha tutje ai.

Sa i përket arsimit, Krasniqi tha se kryefjala për këtë sektor në vitin 2022 ishte greva.

 “Për arsimin që e premtonin se do ta bënin arsim cilësor e konkurrent, për një vit nuk kemi dëgjuar tjetër lajm, përveç grevës në arsim. Mënyrën se si iu pat qasur dialogut me sindikatat, lojën me nerva dhe testin psikologjik të dorëzimit, Qeveria e Albin Kurtit e ka manifestuar në kurriz të nxënësve, prindërve e arsimtarëve...”, u shpreh lideri i PDK-së.

Krasniqi tha se një ndër fenomenet më tragjike të këtij viti ishte largimi masiv i të rinjve nga Kosova. Sipas tij, ky vit do të mbahet mend për shëndetësi pa ministër dhe përplot skandale.

Ai tha se viti 2022 ishte vit që ka treguar qartë se Albin Kurti nuk ka kurrfarë projekti politik për vendin.

“Për më tepër, ai tregoi edhe një gjë: As nuk do e as nuk di të qeverisë. Madje, po shfrytëzon secilën mundësi duke krijuar kriza pas krizash që të ikë nga përgjegjësia dhe qeverisja. Tash e dimë edhe se s’mund ta presim qeverisje prej tij”, përfundoi kryetari Memli Krasniqi.


MË SHUME NGA Lajme