Osmani-Lordit Peach: Të dënohen veprimet destabilizuese të Serbisë
M.Shefkiu/RTKlive
(E plotësuar) Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim të Dërguarin e Posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lordin Stuart Peach.
Sipas komunikatës për media nga Presidencës, në takim me Lordin Peach, Presidentja Osmani ka theksuar se institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara dhe të angazhuara për paqe dhe siguri. “Presidentja vuri në pah se Kosova vazhdon të jetë e koordinuar me partnerët ndërkombëtar për adresimin e sfidave të sigurisë dhe në këtë kontekst ka kërkuar përfshirje më të madhe të Britanisë së Madhe si një anëtare kyçe e NATO-s dhe një partnere historike e Kosovës. Teksa e ka njoftuar për zhvillimet e fundit në vend, Lordin Peach, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova në vazhdimësi është palë konstruktive në raport me dialogun me Serbinë, porse pala serbe nëpërmjet përpjekjeve për destabilizim të Kosovës përpiqet ta zhvendosë fokusin nga dialogu”, thuhet në komunikatë. Tutje theksohet se presidentja Osmani ka kërkuar që ndaj tendencave destabilizuese të Serbisë, bashkësia ndërkombëtare ta mbajë një qëndrim unik duke dënuar veprimet e tilla dhe duke mos bërë barazimin e palëve kur dihet qartë se kush është agresori. “Sipas Presidentes Osmani, në veriun e Kosovës, sfidimi i rendit ligjor dhe juridik po ndodh nga banda kriminale të armatosura, të dirigjuara nga lidershipi i Serbisë, të cilat ndodhen në listën e zezë të SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe. Kësisoj, Presidentja Osmani theksoi se është nën përgjegjësinë e institucioneve të Kosovës në koordinim me partnerët ndërkombëtarë për ta siguruar sundimin e ligjit, paqes dhe sigurisë në mënyrë të barabartë në të gjithë Republikën e Kosovës dhe për të gjithë qytetarët pa dallim”, nënvizohet në komunikatën e Presidencës pas këtij takimi.
Emisari Stuart Peach pritet nga Osmani e Kurti
(E plotësuar) Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, kanë pritur në takime të veçanta të Dërguarin e Posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach. Ky i fundit në këto takime ka qenë i shoqëruar nga ambasadori Nicholas Abbott. Mediat janë lejuar të marrin vetëm pamje nga këto dy takime.

Peach ka arritur në Kosovë
(E plotësuar) I dërguar i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach po qëndron sot në Kosovë. Sipas njoftimit nga Presidenca dhe Qeveria, në orën 15:00, Lordi Peach do të pritet nga presidentja Vjosa Osmani, ndërsa në ora 16:00 nga kryeministri Albin Kurti. Në dy takimet thuhet se mediat mund të marrin vetëm pamje.
Peach është i pari emisar evropian që takon përfaqësuesit e Kosovës menjëherë pas festave të fundvitit. Ardhje tij vjen në periudhën kur nga veriu i Kosovës u hoqën barrikadat e fundit të vendosura nga serbët.
E gjatë pjesës së parë të këtij muaji, Ballkanin pritet ta vizitoj edhe këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet. Sipas mediave serbe, ai me 11 ose 12 janar do të vizitojë Beogradin, ndërsa nuk është definuar data e ardhjes në Kosovë.
“Besoj në krijimin e raporteve më të mira me Shtetet e Bashkuara. Të shohim se si do të shkojë. Nuk do të jetë një bisedë e lehtë, por besoj se ne mund të flasim”, ka thënë presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq gjatë një konference për media dje në Beograd.
Ndryshe Chollet kishte anuluar një vizitë në shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe në Bruksel në dhjetor për shkak se doli pozitiv për koronavirus.























