Kosova shton listën e aseteve të trashëgimisë kulturore |Foto
Foto: Hajrullah Çeku/Facebook
Kulturë

Kosova shton listën e aseteve të trashëgimisë kulturore |Foto

J.Musliu/RTKlive

Zhbllokohet përfundimisht procesi i mbrojtjes së përhershme ligjore të trashëgimisë kulturore në Kosovë.

Pas vlerësimit dhe rekomandimit pozitiv nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore, listës së aseteve në mbrojtje të përhershme, pas një stanjacioni disavjeçar, i shtohen Hamami i Madh në Prishtinë, varrezat Hebraike në Prishtinë, shkolla e Muzikës (ish-Saraji i Mustafë Pashës) në Gjilan, Atik Xhamia në Gjilan, dhe ish-hoteli Jadran në Mitrovicë.

“Gjatë javëve dhe muajve në vijim pritet të miratohen propozime të tjera për shpallje asetesh në mbrojtje të përhershme nga kategori të ndryshme të trashëgimisë kulturore”, dekalroi ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku.

Ndërkohë Hani i Haraqisë në Çarshinë e Gjakovës, një ndër asetet më të veçanta të Kosovës, është gati për t’iu rikthyer funksionit mikpritës, traditë të cilën sot e vazhdon me mjeshtri pronari Valon Haraqija, invalid i luftës së Kosovës.

Ditë më parë, Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit e Kosovës, njoftoi se u shpëtua një tjetër monument nga rrënimi. Bëhet fjalë për kinemanë e parë të qytetit të Prizrenit.

Pas ndërhyrjeve konservuese, ajo është në shërbim të komunitetit. Ndërtesa e cila ndër vite ka shërbyer me funksione të ndryshme kulturore e shoqërore, ka qenë një prej monumenteve në rrezik.

Ministria e Kulturës njoftoi se gjatë vitit 2022 Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore është fuqizuar dhe ka efikasitet të rritur.


MË SHUME NGA Kulturë