Kurti: Kosova vend ideal për investime për kompanitë nga Britania e Madhe
BKT
Foto: Qeveria e Kosovës
Lajme

Kurti: Kosova vend ideal për investime për kompanitë nga Britania e Madhe

E.Hoti/RTKlive

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Sekretarin e shtetit në hije për Çështjet e Jashtme, Komonuelth dhe Zhvillim, David Lammy.

Kryeministri e falënderoi Lammy për kontributin e vazhdueshëm të Britanisë së Madhe ndaj Kosovës.

 “Në këtë takim, Kryeministri Kurti theksoi progresin në Kosovë, duke përmendur faktin që përkundër krizës botërore me pandeminë COVID-19 dhe krizën energjetike, ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje të konsiderueshme. Së bashku me përmirësimet në indekset e demokracisë dhe sundimin e ligjit që renditin Kosovën të parën në Ballkanin Perëndimor, Kosova është vend ideal për investime për kompanitë nga Britania e Madhe që kërkojnë near-shoring, theksoi Kryeministri”, thuhet në njoftimin për media nga Zyra e Kryeministrit të  Kosovës.

 Kryeministri Kurti veçoi mundësitë për rritjen e shkëmbimit tregtar mes Kosovës dhe Britanisë së Madhe, si dhe investimet në sektorin energjisë.

Ndërsa Lammy ofroi bashkëpunimin e tij, teksa theksoi nevojën e identifikimit sa më shumë fusha të bashkëpunimit dhe partneritetit në mes të dy vendeve, ashtu që Britania e Madhe të mund të ndihmojë sa më shumë Kosovën.

Në takim u diskutua edhe për çështjet aktuale, duke përfshirë dialogun dhe nevojën për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, si dhe çështjet e sigurisë.

Kryeministri Kurti, theksoi nevojën për rritjen e bashkëpunimit mes institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe Britanisë së Madhe në luftimin e akterëve malinj që synojnë destabilitetin e Kosovës dhe rajonit.

 


MË SHUME NGA Lajme