Zhvillimet rreth plagosjes në Shtërpcë|Video
Driton Ramadani/ RTK
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngarkuar të dyshuarin A. K. me tri vepra penale për plagosjen e një fëmije dhe një të riu në Gotovushë të Shtërpcës. Sipas prokurorisë, A. K. me dashje ka tentuar që t’i privojë nga jeta të dëmtuarit M. S dhe S.S. Por në një deklaratë për mediet serbe, nëna e fëmijës ka thënë se, nga jo çfarë i kanë thënë fëmijët i dyshuari, nuk ka shtënë në drejtim të fëmijëve por ka shtënë në tokë.
Për mediet serbe, Zorica Stojanoviq, nëna e fëmijës së plagosur, ka thënë se nga ajo që i është thënë, i dyshuari nuk e ka shkrepur armën në drejtim të fëmijëve, por ai ka shti në tokë.
“Nuk e di se çfarë ka ndodhur, por vetëm më është thënë se fëmija është plagosur. Nuk e kam ditur se nga kush dhe për çka. Jemi nisur për në Shtërpcë, por rruga ishte e bllokuar.Në ambulancë të Shtërpcës veçse e kishin lidhur plagën. Siç kam dëgjuar nga fëmijët ata ishin duke bërë fotografi tek bredhi i Krishtlindjeve. Ata po bënin fotografi në qendër të qytetit. Dhe ishte një shqiptar apo nuk e di kush ishte, dhe në rrugë kishte shtënë, por nuk ka shtënë në fëmijët por në asfalt, dhe nuk e di se si por plumbi ka rënë mbi fëmijët, në fëmijën tim dhe një tjetër është plagosur”, Zorica Stojanoviq, nëna e fëmijës së plagosur.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, nëpërmjet komunikatës, thotë se fillimisht rreth orës 13, i dyshuari A. K. ka provuar të futet në rrugën që dërgon në Qendrën e Skijimit në Brezovicë, dhe aty ka pasur një grumbull qytetarësh në rrugë. Dhe mos duke pasur mundësi të kalojë, i dyshuari ka shtënë me armë 5 herë në ajër, dhe me këtë vepër A. K. ngarkohet me veprën penale "Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm".
Sipas Prokurorisë, më pas rreth orës 14, në fshatin Gotovushë të Shtërpcë, A. K. me dashje ka tentuar që t'i privoj nga jeta të dëmtuarit M. S dhe S.S., ku, pas një mosmarrëveshjeje verbale të ndodhur aty për aty, e nxjerr revolen e markës “Mossberg” dhe ka shtënë dy herë duke i goditur të dëmtuarit, e që si pasojë e këtyre goditjeve lëndime trupore pësojnë të dëmtuarit, me këtë rast ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë në tentative”.
Sipas Prokurorisë A. K. ka përdorur armën me leje të markës “Mossberg” me të cilën ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Për nesër në orën 12:00 në Shtërpcë është paralajmëruar protestë lidhur me rastin.























