Kurti tregon të arriturat kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit
BKT
Lajme

Kurti tregon të arriturat kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit

B. H. / RTKlive

Kryeministri Albin Kurti e ka vlerësuar 2022-tën si vit të suksesshëm të qeverisë që drejton në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka përmendur të arriturat e ekzekutivit në këtë fushë në vitin që e lamë pas.

“Gjatë vitit që lamë pas, kemi vazhduar me zbatimin e ligjshmërisë në gjithë territorin e Republikës: U realizuan 854 operacione policore kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës; U arrestuan 3202 veta, prej tyre 301 zyrtarë publikë; Mbyllëm 16 rrugë ilegale në veri të vendit; Shkatërruam 69 grupe kriminale; U konfiskuan mbi 1.8 ton substanca narkotike; Shkatërruam 5 laboratore të drogës në veri të Kosovës, me vlerë qindra milionëshe në substanca dhe në pajisje si dhe 3 laboratore për prodhimin e kriptovalutave, po ashtu në veri”, ka shkruar kryeministri.

Tutje ai ka përmendur ngrirjen e 14 milionë eurove nën dyshimin e keqpërdorimeve dhe shpërlarjes së parave si dhe sekuestrimin e mbi 300 mijë litra karburante që s’ishin konform me aktet nënligjore.

“Ndërtuam 4 objekte dhe stacione policore në veri të Kosovës si dhe bëmë shtrirjen e rrjetit optik në atë pjesë të vendit tonë, duke mundësuar shtrirjen e valëve telefonike, rrjetit të internetit dhe komunikimit me radiolidhje; Krijuam Njësitin e Ndërhyrjes së Shpejtë të Kufirit, në kuadër të Policisë së Kosovës, i cili angazhohet në luftimin e kontrabandës, trafikimit me qenie njerëzore dhe keqpërdorimeve të tjera përgjatë vijës kufitare”, ka shkruar tutje Kurti.

 


MË SHUME NGA Lajme