FSK bashkë me forcat amerikane në stërvitjen ‘Defender - Europe`23’
BKT
Foto: Armend Mehaj/Facebook
Lajme

FSK bashkë me forcat amerikane në stërvitjen ‘Defender - Europe`23’

M.Shefkiu/RTKlive

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka njoftuar se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) përkrah me forcat amerikane dhe aleatët tjerë, është në finalizim të fazës planifikuese të stërvitjes së përbashkët "Defender- Europe`23".

“Ekipi planifikues i FSK-së së bashku me ekipin e forcave amerikane dhe forcave tjera aleate janë duke zhvilluar konferencën finale planifikuese katërditore të Stërvitjes "Defender - Europe'23" në Budapest të Hungarisë. Stërvitja "Defender - Europe' 23" është stërvitje e shkallës së gjerë që organizohet nga Ushtria Amerikane për Evropë dhe Afrikë me forcat e vendeve aleate të 25 vendeve të NATO-s dhe partnerëve të saj”, ka deklaruar Mehaj në rrjetin social facebook.

Kosova, sipas tij, do të jetë ndër vendet pritëse të kësaj stërvitje dhe FSK, siç tha Mehaj, merr pjesë me mbi 1300 pjesëtarë.

“Objektivat kryesore të FSK në këtë stërvitje janë rritja e ndërveprueshmërisë, validimi i kapaciteteve të këmbësorisë, validimi i kapaciteteve të mbështetjes dhe vlerësimi i mbështetjes mjekësore”, ka deklaruar Mehaj.

Ndryshe “Defender Europe” është ushtrim i përbashkët ndërkombëtarë i shkallës së gjerë që drejtohet nga Ushtria Amerikane, dhe si i tillë është i dizajnuar që të ndërtojë gatishmërinë operacionale dhe ndërveprimin mes ushtrive të SHBA-ve, vendeve partnere, dhe NATO-së për një gamë të gjerë të operacioneve. Në këtë ushtrim, viteve të kaluar kanë marrë pjesë rreth 28 mijë ushtarakë.


MË SHUME NGA Lajme