AAK: Qeveria të respektojë vendimin e Kushtetueses për pensionistët
BKT
Lajme

AAK: Qeveria të respektojë vendimin e Kushtetueses për pensionistët

B. Halimi / RTKlive

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar nga Qeveria që ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të ndërmarrë veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e nenit 8 të Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti.

Qëndrimin e këtij subjekti politik lidhur me këtë çështje e ka paraqitur deputeti Shemsedin Dreshaj në një konferencë për media. Ai ka thënë se është e padrejtë dhe e pandershme që dikush që ka punuar 14 vite e 11 muaj para vitit 1999, në fund të llogaritet sikur nuk ka dhënë fare kontribut. Dreshaj theksoi se AAK kërkon me ngulm që të largohet kushtëzimi për 15 vjet përvojë pune, të cilin e vlerësoi të dëmshëm dhe diskriminues për punëtorët e viteve të 90-ta, të cilët ishin larguar në mënyrë të dhunshme nga pushtuesi serb.

“Edhe pse kemi bërë përpjekje për vite me radhë që ta largojmë këtë padrejtësi ndaj pensionistëve, kjo nismë fatkeqësisht nuk është përkrahur. Sot, gjendemi në një situate më të favorshme, pasi për këtë çështje tanimë kemi një vendim nga Gjykata Kushtetuese të cilin e përshëndesim. Kërkesën KO 190/19, të parashtruar nga Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës, në të cilën u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së nenit 8, paragrafit 2, të Ligjit nr. 04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti lidhur me nenin 5 dhe 6 të Udhëzimit Administrativ (MPMS) nr. 09/2015 për Kategorizimin e Shfrytëzuesve të Pensionit Kontribut pagues sipas Strukturës Kualifikuese dhe Kohëzgjatjes së Pagesës së Kontributeve. Ky vendim i jep të drejtë nismës sonë për largimin e këtij kushti diskriminues dhe i hapë rrugë Kuvendit të Kosovës që ta përmirësojë këtë padrejtësi ndaj pensionistëve”, theksoi Dreshaj.

Ai njëkohësisht ka kërkuar që të respektohet periudha kohore maksimalisht prej 6 muaj  e shprehur në vendim të Gjykatës Kushtetuese dhënë Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e nenit 8 të Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti.

Tahiri: Koha e duhur për arritjen e marrëveshjes me Serbinë

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, gjatë kësaj konference ka bërë të ditur se kryetari i këtij subjekti politik, Ramush Haradinaj, do të takohet me Këshilltarin e Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili do ta vizitojë Kosovën, derisa ka vlerësuar se tani është koha e duhur për arritjen e marrëveshjes me Serbinë. “Kryetari do të ketë një takim me këshilltarin e lartë të Shtëpisë së Bardhë. Është momentumi i duhur për arritjen e një marrëveshje dhe kjo duhet të  ndodh. Kosova duhet të jetë unike karshi ballafaqimit me Serbinë dhe arritjes së kësaj marrëveshje”, theksoi Tahiri.

 


MË SHUME NGA Lajme