Qeveria: Themeluesi i `Prava` është një pseudogazetar
Jeton Musliu/RTKlive
Qeveria e Kosovës, nëpërmjet zëdhënësit të saj, Përparim Kryeziu, i ka mohuar akuzat që vijnë nga një media sllovene, se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është i përfshirë në një aferë të dyshuar transkasioni parash.
Në një deklarim në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, njërin ndër themeluesit e portalit slloven, ‘Prava’, zëdhënësi Kryeziu e cilëson si - “një pseudogazetar që ka punuar deri vonë për Nova24TV, organizatë lajmesh e ekstremit të djathtë”.
“Portali është aq i parëndësishëm sa që mezi e gjen online”, shkruanKryeziu, duke iu kundërpërgjigjur në këtë mënyrë raportimeve të këtij mediumi, që implikojnë në këtë aferë, përveç ambasadorin Berishaj, edhe Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin Albin Kurti.
“Shpërndarja e këtij ‘lajmi’ nga një portal aq i dyshimtë në disa prej portaleve tona, pa ndonjë verifikim të historikut të ‘Prava’ dhe profilit të Luka Pers, është në rastin më të mirë jo profesionale dhe jo etike”, deklaron Kryeziu.

“Sidomos kur dihet se në vitin 2021, llogaria e Luka Pers në Twitter është suspenduar pikërisht për shkak të shpërndarjes së lajmeve të rreme”.
Në këtë postim, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës shprehet se trajtimi nga partitë opozitare i një lajmi të tillë si temë nacionale, -“është më së paku shterpërsi opozitare”.
“Dhe për fund, pretendimet e një portali të themeluar nga një pseudogazetar që ka punuar në një organizatë lajmesh të ekstremit të djathtë, llogaria në Twitter i të cilët është suspenduar për shkak të shpërndarjes së lajmeve të rreme, patjetër se janë të pavërteta”.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka reaguar në këtë mënyrë, pasi media sllovene “Prava” ka raportuar se kryeministri Albin Kurti, ka përfituar miliona euro nga kompania “GEN” për fushatën e Lëvizjes Vetëvendosje.
Ky artikull flet për 100 milionë euro, sipas të cilit, janë menaxhuar nga kompania “GEN”.
Portali thekson se në këtë aferë janë të përfshirë kryeministri Albin Kurti dhe ambasadori i Kosovës në Slloveni, Martin Berishaj.
Pas raportimeve të mediave sllovene e më pas ripublikimit të këtij lajmi nga disa media në Kosovë, ka reaguar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, parti kjo në opozitë.
Anëtari i LDK-së, Xhafer Tahiri, në konferencë për media të mbajtur të martën, deklaroi se subjekti politik që ai përfaqëson, shpreh shqetësimin për raportimin e vazhdueshëm të mediave në Slloveni për aferën milionëshe ku sipas tij, janë të përfshirë kryeministri Albin Kurti dhe ambasadori i Kosovës në Slloveni, Martin Berishaj.























