Policia jep detaje për vrasjen që ndodhi sot në Mitrovicë
RTK
(E plotësuar, ora 18:55) Policia e Kosovës ka njoftuar se sot rreth orës 14:35, është raportuar se brenda objektit të Shoqatës së të Shurdhërve në rrugën “Avni Shabani” në Mitrovicë, është gjetur pa shenja jete viktima N. G., 65 vjeçar.
"Sot, rreth orës 14:35, është raportuar se brenda objektit të Shoqatës së të Shurdhërve në rrugën "Avni Shabani" në Mitrovicë, është gjetur pa shenja jete viktima N. G., 65 vjeçar. Bazuar në hetimet fillestare në vendin e ngjarjes si dhe ekzaminimet e kryera, me urdhër të prokurorit hetimet për rastin kanë nisur në drejtim të veprës penale vrasje. Ndërsa me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Rrjedha e mëtejme hetimore është duke vazhduar në koordinim me prokurorin e rastit në drejtim të zbardhjes së plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me rastin e veprës penale vrasje", njofton Policia e Kosovës.
Është gjetur pa shenja jete një person i moshës 60 vjeçare në Mitrovicë
Një person është gjetur i vdekur në Shoqatën e ‘Shurdhmemecëve’ në Mitrovicë të Jugut.
Zëdhënësi i PK-së për Mitrovicë, Avni Zahiti, tha se bazuar në hetimet fillestare, sot, rreth orës 14:30, është raportuar se në rrugën " Evlia Qelebia" brenda objektit të "Shurdhmemecëve" është gjetur pa shenja jete viktima i moshës rreth 60 vjeçar.”Hetuesit policor me autorizim të prokurorit kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të rastit”, konfirmoi për RTK-në zëdhënësi i PK-së për Mitrovicë, Avni Zahiti.
Edhe prokurori kujdestar ka dalë në vendin e ngjarjes. “Një person është gjetur i vdekur në Shoqatën e Shurdhmemecëve, për momentin nuk dihet identiteti i tij. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë do të dërgohet për autopsi në IML në Prishtinë”, tha për RTK, Valon Preteni zëdhënësi i Prokurorisë së Mitrovicës























