Osmani në takim me Chollet: Jemi konstruktivë për arritjen e marrëveshjes
B. H. / RTKlive
(I plotësuar) Presidentja Osmani në takim me zyrtarin e lartë të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, Derek Chollet, ka theksuar se marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi, e cila duhet ta ketë në qendër njohjen e ndërsjellë, ka për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve, dhe arritjen e paqes së qëndrueshme dhe afatgjate në rajon.
"Kosova është e gatshme të vazhdojë, me përkushtim të plotë, të jetë palë konstruktive, e koordinuar me SHBA-të, duke bërë propozime që kontribuojnë në arritjen e një marrëveshjeje të tillë”, tha Osmani gjatë takimit me Chollet, i cili ishte i shoqëruar nga ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier, zëvendës ndihmës sekretari i Shtetit Gabriel Escobar, zëvendës ndihmës sekretari i Mbrojtjes Spencer Boyer, si dhe përfaqësues të tjerë të Departamentit të Shtetit dhe ambasadës amerikane.
Sipas njoftimit nga Presidenca pas këtij takimi, presidentja Osmani dhe Chollet kanë konfirmuar marrëdhëniet e shkëlqyera si dhe janë angazhuar për fuqizimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.
“Presidentja Osmani ka falënderuar z. Chollet për angazhimin proaktiv të Shteteve të Bashkuara në procesin e dialogut, duke theksuar se angazhimi i shtuar amerikan në këtë drejtim është vendimtar për të siguruar rezultat të suksesshëm në dobi të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Presidencës.
Sipas njoftimit në këtë takim u bisedua për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, teksa u potencua aleanca dhe afërsia e theksuar e Serbisë me Rusinë dhe rreziqet që paraqet ky raport jo vetëm për Kosovën, por edhe për aleancën euroatlantike.
Presidentja theksoi se me mbështetjen e Rusisë, Serbia vazhdon të jetë forcë destabilizuese dhe kërcënim për paqe të qëndrueshme në rajon.
Ajo konfirmoi partneritetin historik dhe të pathyeshëm në mes të SHBA-ve dhe Kosovës, ndaj pikërisht sipas saj kjo është një bazë e fortë për rritjen e bashkëpunimit në fushën ushtarake dhe atë ekonomike. Bazuar në nismën e saj për Dialog Strategjik ndërshtetëror me SHBA-të, të iniciuar formalisht nga presidentja Osmani para gjashtë muajsh, u shpreh gatishmëri për përshpejtimin e këtij procesi në përfitim të qytetarëve të të dy shteteve, thekson tutje komunikata.
Kurti fillon takimin me këshilltarin amerikan, Derek Chollet
Pas takimit që ka pasur me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, Këshilltari amerikan, Derek Chollet, ka filluar takimin edhe me kryeministrin Albin Kurti.
Sikur në takimin me Osmanin edhe këtu nuk ka deklarim për media pas takimit.

Ndryshe, Chollet para ardhjes në Ballkan, ka folur për pritshmëritë gjatë vizitës që do të bëjë në Kosovë, Serbi dhe Maqedoninë e Veriut.
Në njoftimin e DASH-it është thënë se Chollet në Kosovë vjen për të diskutuar për përpjekjet e SHBA-së për ta ndihmuar Kosovën drejt avancimit euroatlantik.
Ndërsa sërish është cekur rëndësia e një marrëveshje në dialogun Kosovë-Serbi, e cila në qendër do ta kishte njohjen e ndërsjellë.























