Bislimi për Euronews: Marrëveshja Kosovë-Serbi deri në fund të marsit?
Përgatiti: Jeton Musliu/RTKlive
Zëvëndëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili është edhe shef i ekipit negociator të Republikës së Kosovës në dialogun me Serbinë, ka dhënë një intervistë për Euronews Serbia.
Ndër të tjera ai ka thënë se përkundër premtimit të përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell, takimi midis kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, lidhur me propozimin franko-gjerman, ende nuk është mbajtur.
Bislimi ka thënë se nëse bëhet një fokus në elementet “de jure”, atëherë i bie që propozimi frank-gjerman mbështet pozicionin e Serbisë se aktualisht s’ka kushtet për arritjen e njohjes reciproke.
Ai tutje ka thënë se palët janë marrë vesh që të mbajnë sekrete detaje të propozimit, megjithatë thotë se në momentin që do të ketë një lloj progresi atëherë publiku do të njoftohet për gjithçka.
Bislimi ka komentuar edhe nëse fundi i marsit është afati i caktuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti për marrëveshjen mes dy vendeve.
Zëvëndëskryeministri Bislimi tha se marrëveshja e nënshkruar më 23 nëntor 2022, përcaktoi takimin e ardhshëm në fund të muajit mars, që shihet si afat edhe për nënshkrimin e marrëveshjes, në qoftë se pala serbe mbetet konstruktive.
“Prandaj, tashmë është rënë dakord që takimi të bëhet në fund të muajit mars. Kjo është arsyeja që zoti Kurti përmend fundin e marsit si afat për nënshkrimin e marrëveshjes”, deklaroi Bislimi, sipas të cilit, nëse deri atëherë, kuptohet se Serbia nuk ka ndërmend të jetë konstruktive gjatë dialogut.
“Kjo do të thotë se procesi i nisur më 23 nëntor do të pezullohet dhe Kosova do të mund të vazhdojë të shqiptojë gjoba për targat ilegale që ende lëvizin në Kosovë”, deklaroi ai.
Ndër të tjera ai tha se nuk është e drejtë që të thuhet se Kurti ka premtuar, por nuk e ka filluar dialogun me serbët lokalë.
Bislimi njoftoi se ka pasur gjashtë takime të mbajtura, pesë prej të cilave thotë se janë zhvilluar në ambientet e Ambasadës së Suedisë në Kosovë dhe një në Qeverinë e Kosovës.
“Unë personalisht kam zhvilluar gjashtë takime me serbët vendas, pesë prej të cilave janë mbajtur në ambientet e Ambasadës Suedeze në Kosovë dhe me mbështetjen e Ambasadës Suedeze në Kosovë. Dhe unë mbajta një takim dhjetorin e kaluar në këtë dhomë”, ka thënë Bislimi.
Bislimi tutje ka thënë se ka pasur biseda me organizata që përfaqësojnë serbët lokalë nga veriu dhe jugu, përfshirë Mitrovicën e Veriut, Gorazhdecin, Graçanicën e të tjera. Megjithatë thotë se s’i kanë bërë publike për shkak se janë të vetëdijshëm se me çfarë mund të përballen këta serbë kur të bëhet publike se kanë filluar dialogun me Qeverinë e Kosovës.
(Marrë me shkurtime nga Euronews Serbia, franshize e Euronews International. Titulli në origjinal: Bislimi për Euronews Serbia: Propozimi franko-gjerman "de jure" mbështet qëndrimin e Serbisë se tani nuk ka kushte për njohje)























