Haradinaj pas takimit me Chollet, kërkon marrëveshje finale me Serbinë
J.Musliu/RTKlive
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), është takuar me delegacionin amerikan kryesuar nga këshilltari i Lartë në Departamentin amerikan të Shtetit, Derek Chollet.
Haradinaj ka shkruar në Facebook se është e nevojshme integrimi i plotë i qytetarëve serbë në institucione.
“Në një takim përmbajtësor me delegacionin nga Departmenti i Shtetit i kryesuar nga z. Derek Chollet, Këshilltar i lartë, z. Gabriel Escobar, Ndihmës Asistent i Sekretarit të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Evroazisë, z. Spencer Boyer, Zëvendës Ndihmës Sekretar i Mbrojtjes për Politikat Evropiane dhe NATO-n, dhe me Ambasadorin Amerikan në Kosovë, z. Jeffrey Hovenier, shtrova nevojën urgjente të arritjes së marrëveshjes finale për njohje të ndërsjellë me Serbinë, si hap i domosdosshëm për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Po ashtu e përmendi edhe nevojën për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë përmes marrëveshjes finale.
“Njëkohësisht, shtrova nevojën e integrimit të plotë të qytetarëve serbë në institucionet e Republikës së Kosovës si dhe zbatimin e plotë të rendit dhe ligjit në çdo pjesë të vendit”.
“Falënderova përfaqësuesit amerikanë për ndihmën e vazhdueshme të ShBA-ve në të gjitha fazat e lirisë dhe shtetndërtimit të Kosovës dhe kërkova mbështetjen e tyre edhe në këtë fazë të ndjeshme pa të cilën vështirë se do të mund të arrijmë një marrëveshje përfundimtare të paqes”, ka thënë ai.
Gjatë ditës, diplomati Chollet është takuar me liderët shtetëror të Kosovës si dhe përfaqësues të partive të ndryshme politike.























