Bislimi: Danimarka e konsideron Kosovën partner të besueshëm
BKT
Lajme

Bislimi: Danimarka e konsideron Kosovën partner të besueshëm

M.Sh/RTKlive

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim ambasadorin e ri jorezident të Danimarkës për Kosovë, Christian Gronbech-Jensen, të cilin e uroi për pozitën e re në këtë takim të parë zyrtar mes tyre dhe i dëshiroi vizitë të frytshme e mirëseardhje në Kosovë.

Në takim u riafirmua vazhdimësia në konsolidimin e marrëdhënieve të fuqishme të bashkëpunimit mes dy vendeve tona. Ambasadori Gronbech-Jensen shprehu mbështetjen e Danimarkës ndaj aplikimit për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe po ashtu e përshëndeti aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke thënë se Kosova i përket familjes evropiane.

 “Na pret një vit i rëndësishëm përpara, në të cilin do të vijojë përkushtimi i plotë i Kosovës në proceset e integrimit evropian, duke përfshirë zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe detyrimeve që rrjedhin nga agjenda evropiane. Sundimi i ligjit dhe transparenca e institucioneve, janë gjithashtu në fokus përgjatë këtij viti”, deklaroi Bislimi.

Te Kosova, Danimarka, sipas tij, gjen një partnere të besueshme, e cila ka bashkërenduar politikën e saj të jashtme me atë të Bashkimit Evropian dhe mban të njëjtin qëndrim ndaj agresionit rus në Ukrainë..

Me këtë rast, ambasadori Gronbech-Jensen e vlerësoi lartët angazhimin e Kosovës në mikpritjen dhe strehimin e qytetarëve afganë si dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë.

Në përfundim të takimit, u ritheksua përkushtimi në thellimin e bashkëpunimit në fushën e energjisë, veçanërisht energjisë së gjelbër e të ripërtëritshme, po ashtu dhe në fushën e drejtësisë e bashkëpunimit ekonomik.


MË SHUME NGA Lajme