Bislimi pas votimit në LIBE: Edhe një hap i rëndësishëm për vizat
BKT
Foto: Arkiv
Lajme

Bislimi pas votimit në LIBE: Edhe një hap i rëndësishëm për vizat

M.Shefkiu/RTKlive

Edhe një hap tjetër i rëndësishëm u përfundua sot rreth çështjes së liberalizimit të vizave. Kështu ka shkruar zëvendëskryeministri Besnik Bislimi pas lajmit se në takimin e anëtarëve të Komitetit për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme të Parlamentit Evropian, u votua pozitivisht mbi liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Hapi i radhës do të jetë votimi në seancën plenare në Parlamentin Evropian dhe më tej votimi në Këshillin e Ministrave të BE-së, para hyrjes në fuqi”, ka shkruar Bislimi në rrjetin social Facebook.

Bislimi përshëndet votimin pozitiv të sotëm dhe mirëpret finalizimin e hapave të ardhshëm, “deri në përfundimin e procedurave të nevojshme për nisjen e lëvizjes së qytetarëve të Republikës së Kosovës pa viza drejt vendeve të Bashkimit Evropian”.

Ndryshe, Komiteti për Liritë Qytetare, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme, që shkurt njihet edhe si LIBE, i Parlamentit Evropian, në pikën për Kosovën që ndërlidhet me procesin e liberalizimit të vizave, ka votuar me shumicë dërmuese PRO.

Ky është votimi i parë në vargun e votimeve që pritet të ndodhin në javët në vijim, e që do të çojnë deri te vendimi përfundimtar për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Pas votimit në Komitetin LIBE, testi për liberalizimin e vizave duhet të votohet edhe në seancën plenare të Parlamentit Evropian. Në fund, duhet të votojnë edhe ministrat e brendshëm të shteteve anëtare të BE-së, kur edhe përfundojnë procedurat e votimit dhe vendimi shpallet në Gazetën Zyrtare. E  sipas vendimit tashmë të dakorduar, qytetarët e Kosovës do gëzojnë lëvizjen e lirë pa viza, paralelisht me funksionalizimin e sistemit informativ evropian ETIAS, e në çdo rast, kjo do të ndodhë  jo më vonë se më 1 janar të vtiti 2024.


MË SHUME NGA Lajme