Mbahet Komiteti VI i MSA-së ndërmjet BE-së dhe Kosovës
BKT
Foto: Arkiv
Lajme

Mbahet Komiteti VI i MSA-së ndërmjet BE-së dhe Kosovës

M.Sh/RTKlive

Fjalën hyrëse e mbajti Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Qeveria e Kosovës, dhe Michela Matuella, u,d drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit.

Në mbledhje u diskutuan prioritetet e reformave në shumë fusha, përfshirë energjinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore, reformën e administratës publike, konkurrencën dhe inovacionin, punësimin dhe arsimin.

E sipas njoftimit të qeverisë, në këtë takim është diskutuar edhe për tranzicionin e gjelbër dhe atë energjetik, si dhe inovacionin.

“Komisioni vlerësoi Kosovën për forcimin e kapaciteteve për të koordinuar zbatimin e MSA-së dhe mekanizmave përkatës të monitorimit dhe raportimit.  BE-ja ripërsëriti zotimin dhe gatishmërinë e saj për të vazhduar të ofrojë këshilla për të shmangur mospërputhshmërinë e veprimeve të Qeverisë me zotimet e saj sipas MSA-së”, thuhet në njoftim.

Sipas komunikatës për media, Kosova ka përmendur dorëzimin e aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke theksuar përkushtimin e saj të fortë për të avancuar më tej në rrugën drejt BE-së përmes zbatimit të reformave të kërkuara.

“Komisioni inkurajoi Qeverinë që të angazhohet më ngushtë me të gjitha partitë politike në Kuvend, përfshirë ato nga opozita, për të ruajtur konsensusin politik në rrugën drejt BE-së, si dhe për Dialogun Beograd-Prishtinë. Komisioni i kërkoi Qeverisë që të bëjë përparim të shpejtë drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, të zbatojë plotësisht të gjitha marrëveshjet e kaluara dhe të përmbahet nga çfarëdo veprime apo deklarata përçarëse që nuk kontribuojnë në një mjedis të favorshëm për dialog”, thuhet në njoftim.

Komiteti po ashtu thuhet se ka nënvizuar rëndësinë e përafrimit me standardet e mira të BE-së në të gjitha fushat, veçanërisht në sundimin e ligjit, reformën e administratës publike, zhvillimin ekonomik, tregun e brendshëm, arsimin, energjinë dhe mjedisin.

“Komisioni ripërsëriti rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit makro-financiar. Palët presin të diskutojnë më tej përparimin e bërë në këto fusha kyçe në Këshillin e ardhshëm të Stabilizim-Asociimit”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës lëshuar pas këtij takimi.

Ndryshe, mbledhja është kryesuar nga Artan Çollaku, drejtor i Zyrës për Koordinimin e Procesit të Stabilizim-Asociimit në Zyrën e Kryeministrit Kurti, dhe Vassilis Maragos, shef i Njësisë në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Fqinjësi dhe Negociata të Zgjerimit.


MË SHUME NGA Lajme